KE mirëpret negociatat me Kosovën

Komisioni Evropian nëpërmjet një deklarate njofton se ka mirëpritur vendimin e Këshillit për autorizimin e Komisionit për nisjen e negociatave me Kosovën, për një marrëveshje kornizë që i mundëson Kosovës pjesëmarrjen në programet e BE-së.
Sapo të negociohet dhe të nënshkruhet kjo marrëveshje, Kosova do të ketë mundësi që të marrë pjesë në të gjitha programet e BE-së që janë të hapura për të gjitha vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor.
“Ky është një hap i mirëpritur i cili e sjell Kosovën një hap më afër përfitimit nga programet e BE-së, si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ne tani do të fillojmë negociatat me Prishtinën për marrëveshjen kornizë në konsultim me Këshillin”, tha komisioneri për Zgjerim dhe Politikë Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fule.
Më tej në deklaratë thuhet se pjesëmarrja në programet e BE-së do ta ndihmojë Kosovën që të familjarizohet me politikat e BE-së në një sërë fushash dhe sektorësh politikë, dhe e ndihmon Kosovën që të shtyjë para reformat e nevojshme të ndërlidhura me BE-në.
“Sapo të negociohet, të pajtohet dhe të nënshkruhet marrëveshja kornizë, Kosova do të ketë mundësi që të jetë pjesëmarrëse në çdo program të BE-së, i cili është ose do të jetë i hapur për kandidatët potencialë që përfitojnë nga strategjia e para-pranimit e BE-së, me kusht që ai vend të plotësojë kriteret për pjesëmarrje”, bëhet e ditur në deklaratë.
Këto kritere janë specifike për secilin program dhe para së gjithash kanë të bëjnë me kapacitetin administrativ dhe financiar.
“Kushtet dhe afatet për dorëzim, vlerësim dhe përzgjedhje të aplikacioneve nga Kosova do të jenë të njëjta si edhe për kandidatët e tjerë potencialë, thuhet në deklaratën e Komisionit Evropian.