Vodhën 40 mijë euro nga tregtari, ndalohen pesë vetë
Dy punëtorë dhe tre persona të tjerë vidhnin nga magazina dhe ua shisnin tregtarëve me pakicë
TIRANE- Punëtorët vjedhin afërsisht 40 mijë euro nga magazina e biznesmenit të veshjeve dhe konfeksioneve, duke zbrazur mallin që iu ishte lënë nën ruajtje.
Dy vëllezër të punësuar si magazinierë nga i dëmtuarit, dy punëtorë të tjerë kunetër mes tyre dhe një person i pestë janë arrestuar nga policia e komisariatit nr.4, në kryeqytet me akuzat e vjedhjes në bashkëpunim, shpërdorimit të detyrës për mallrat nën ruajtje etj.
Agron e Bujar Meta, përkatësisht 41 dhe 39 vjeç, banues në Sauk, janë dy vëllezërit e arrestuar nga policia dhe që ishin punësuar nga tregtari Gentian Kollçiaku në magazinën e tij për të ruajtur magazinën dhe për të kryer invetarizimin e mallit që hynte dhe dilte që aty.
Bashkë me ta, policia arrestoi si bashkëpunëtorë të tyre edhe Arjan Taushllarin 28 vjeç, kunatin e tij, Ilirjan Lumanin 29 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe Emiljano Jasharin 27 vjeç, banues në Korçë.
Taushllari, sipas burimeve të policisë, kishte në pronësi një motokarro kineze me të cilën dyshohet se janë transportuar mallrat e vjedhura që ishin të vendosura dhe të paketuara në kuti kartoni.
Prej disa muajsh, tregtari Kollçiaku, kishte punësuar dy vëllezërit Meta në magazinën e tij, për t'u kujdesur për mallrat e veshmbathjeve dhe të konfeksioneve që ai importonte nga Kina e furnizonte shitësit e vegjël në tregun e madh industrial në Tiranë.
Pak kohë pasi kishte punësuar vëllezërit, Meta, ata zbuluan metodën e kalimit të një pjese të konsiderueshme të kutive të kartonit me rroba nga pjesa e pasme e magazinës. Kutitë e kartonit kaloheshin nga pjesa e pasme e magazinës dhe më pas ngarkoheshin në motokarron e Taushllarit, dhe që andej ato shpërndaheshin në pika të ndryshme të shitjes prej anëtarve të grupit që ndanin fitimet mes tyre.
Tregtarëve të vegjël që njihnin mallin e furnizuesit të tyre të vërtetë iu bënte përshtypje çmimi i përgjysmuar me të cilin malli mbërrinte tek ata.
"Shumë e ke ulur dorën Genti me çmimet. Çfarë ka ndodhur ? - e pyesnin ata herë pas here, ndërsa shtrembëronte fytyrën. Nga fjalët e shpeshta tregtari vendosi të verifikojë dhe inventari nxori se mungonte një sasi jo e vogël malli që kapte shifrën e rreth 40 mijë eurove.
Pas invetarizimit, i dëmtuari kallëzoi në komisariatin e policisë nr.4, në kryeqtytet vjedhjen e mallit. Pas hetimit të kryer policia ka zbuluar mekanizmin duke mbajtur nën vëzhgim të dyshuarit.
Një javë më parë, ata kryen vjedhjen e fundit duke marrë që andej një sasi të konsiderueshme malli, ndërsa tregtari po vëzhgonte të dyshuarit.
Pas njoftimit të policisë ajo ka ndaluar të dyshuarit të cilët kanë pranuar vjedhjen ndërsa kanë treguar edhe mekanizmin se si kanë kryer vjedhjet. Policia ka bllokuar një pjesë të mallit si dhe mjetet me të cilat janë kryer edhe vjedhjet.