E Shtunë, 31 Tetor 2026

KEK`u, shkel të drejtat e njeriut

Qëndrimi i Qeverisë për të mos aplikuar shkycje kolektive të rrymës nuk i intereson hiq drejtuesve të KEK`ut. Kjo kompani vazhdon të aplikojë shkycje kolektive ende n`masë të madhe. Nga Express më 19 dhjetor 2010 në ora 11:28

Përkundër zotimeve të zyrtarëve të lartë qeveritarë për ndalimin e shkyçjes kolektive, për shkak se me këtë veprim cenohen të drejtat e njeriut, KEK`u vazhdon të mos mërzitet për këtë punë. Kjo kompani njëherësh vazhdon të shkyçë konsumatorët edhe në këto ditë dimri, kur temperaturat kanë rënë nën zero. Rasti i fundit është shkyçja e shumë shkollave në qytetin e Pejës, të cilat në këto ditë të ftohta kanë mbetur pa energji elektrike. Në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave thonë se janë kundër politikës së shkyçjes kolektive të konsumatorëve, përderisa në KEK arsyetohen se nuk kanë mundësi teknike e profesionale për të bërë shkyçje individuale. Zyrtarë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë “nuk janë të disponuar” për të folur rreth kësaj çështjeje. Në prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës pat kërkuar në mënyrë urgjente nga Ministria e Energjisë dhe Minierave që të hartojë një strategji më adekuate për të zgjidhur problemin e shkyçjeve kolektive nga ana e KEK-ut dhe për zgjidhjen e çështjes së borxheve ndaj Korporatës. Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk është politikë e Qeverisë së Kosovës shkyçja kolektive, andaj duhet të gjendet zgjidhje për këtë problem.

Edhe përkundër faktit se Ministria e Energjisë dhe Minierave ka reaguar edhe në Qeverinë e Kosovës në mënyrë që KEK`u të ndalë së aplikuari shkyçjet kolektive, KEK`u vazhdon me politikat e veta, me çka cenon të drejtat e njeriut.
Faktin se po bëhet cenim i të drejtave të njeriut me shkyçje kolektive e dëshmon edhe ajo që “Ferronikelit” nuk i ndërpritet as edhe një minutë të vetëm energjia elektrike, madje paguan energjinë elektrike me një çmim më të ulët. Viktor Buzhala, zyrtar për informim në KEK, ka thënë për Kosovapress se KEK-u aplikon shkyçjet kolektive vetëm aty ku energjia elektrike nuk paguhet 90 për qind.

“Shkyçjet bëhen aty ku pjesa dërrmuese nuk e kanë paguar energjinë elektrike faturat e tyre, jo një ose dy, po 70 ose 80 për qind nuk i kanë paguar energjinë elektrike”, ka thënë Buzhala.

KEK`u, sipas tij, bën shkyçje të tilla ku 90 për qind nuk e kanë paguar dhe pamundësohen format të tjera të shkyçjes. Mosndërprerjen e energjisë elektrike për “Ferronikelin”, zëdhënësi Buzhala e shpjegon me faktin se këtë privilegj fabrikës ia ka dhënë Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Ministrja Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, shkyçjet kolektive i vlerëson si shkelje të të drejtave të njeriut dhe ka rekomanduar drejtuesit e KEK-ut përmes një shkrese që të gjejnë mënyrën e duhur për t’i shtyrë konsumatorët të paguajnë e jo përmes shkyçjeve kolektive.

“Sa i përket shkyçjeve kolektive, ne jemi kundër dhe në asnjë qeveri nuk është parapa shkyçja kolektive, ajo deri diku është cenim i të drejtave të njeriut. KEK-u është një korporatë e pavarur, e cila e ka bordin dhe menaxhohet nga njësia për implementimin apo monitorimin e ndërmarrjeve publike, e cila është në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave”, ka deklaruar ajo. Sipas saj, KEK-u arsyetohet se nuk ka mundësi teknike e profesionale për të bërë shkyçje individuale, andaj edhe i ka hyrë rrugës së shkyçjeve kolektive për të rritur inkasimin.

“Ky është një veprim i KEK-ut për me i detyruar ata të bëjnë inkasimin e energjisë elektrike, për të cilën KEK-u po arsyetohet se konsumatorët nuk janë duke e paguar dhe e vetmja mënyrë për të rritur inkasimin apo performancën e KEK-ut është duke bërë shkyçje kolektive”. Gani Buçaj, kryesues i Departamentit për Mbrojtje të Konsumatorëve në ZRRE, ka thënë se pas shqyrtimit të kërkesës së KEK`ut, ZRRE ka aprovuar skemën e reduktimit të energjisë elektrike në rastet e mungesës së ndjeshme, me qëllim të minimizimit të diskriminimit të konsumatorëve.

“Është e kuptueshme që çdo reduktim i energjisë elektrike ka ndikim negativ te konsumatorët”. Sipas skemës ABC afektojnë numër më të vogël të konsumatorëve pagues të rregullt të energjisë elektrike dhe në përgjithësi janë më pak diskriminuese sesa reduktimet klasike”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së, institucion ky i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në pajtim me detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›