E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci bisedon me Pacollin per formim te koalicionit

PDK, forca që ka siguruar shumicën e votave, nis negociatat për kabinetin e ri qeveritar

PDK dhe AKR kanë filluar zyrtarisht negociatat dhe planet për formimin e koalicionit qeverisës. “Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, janë takuar dje për të diskutuar lidhur me formimin e koalicionit të ri qeveritar”, thuhet në një komunikatë me shkrim të lëshuar nga PDK-ja. 

“Të dy liderët e partive politike respektive kanë shprehur vullnet politik që të punojnë së bashku për formimin e qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës, menjëherë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja”, vijon komunikata. 
Për më tepër, thuhet në këtë komunikatë, “të dy liderët u zotuan se do të punojnë së bashku për të krijuar një qeveri efektive, transparente, demokratike dhe multietnike, për t’i siguruar Kosovës të ardhmen saj euroatlantike”. Që nga zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe publikimit të rezultateve preliminare, kjo ishte hera e parë që një takim i tillë, ku synohet arritja e marrëveshjes për koalicionin qeverisës, bëhet publik edhe për opinionin. 
Përveç AKR-së, PDK-ja shpreson që në qeverinë e ardhshme të përfshijë edhe komunitetet pakicë. Në një komunikatë të AKR-së, të lëshuar nga zyra për informim e kësaj partie thuhet se “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, dhe kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, janë takuar në një vend publik në qendër të Prishtinës dhe me atë rast kanë diskutuar edhe për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
Të dy liderët e partive politike respektive shprehën vullnet politik që të punojnë së bashku për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e në këtë kuadër edhe për formimin e qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës, menjëherë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›