E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR: Nuk do përdorim dhunë, pa qenë e nevojshme

Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR-i po monitoron situatën në veri. KFOR informon se për momentin situata në këtë zonë të Kosovës është e qetë dhe se nuk do të përdoret dhuna, nëse nuk është e nevojshme.
 

“Protestat janë të qeta dhe nuk do të përdoret dhuna pa pasur nevojë”, kanë thënë zyrtarë të KFOR-it. Po ashtu KFOR ka informuar se do të heqë barrikadat, vetëm nëse serbët përdorin dhunë. Ndërkaq, ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç ka takuar udhëheqësit paralelë ilegalë të të gjitha komunave në Zveçan, për të diskutuar hapat e tyre të mëtejshme në veri.
 

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka njoftuar sot për fillimin e implementimit të planit operacional të Qeverisë së Kosovës për respektimin e marrëveshjes për vulat doganore në pikat kufitare 1 dhe 31.
 

Ai ka thënë se ky ishte një fillim i suksesshëm për vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit. Ai ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e detyrimeve për rend dhe ligj me veprime të cilat nuk kanë qenë dhe nuk janë të drejtuara ndaj asnjë grupi etnik, por përkundrazi kanë për qëllim ofrimin e sigurisë dhe lirisë së barabartë për të gjithë pa dallime etnike. Kreu i ekzekutivit të vendit ka ftuar Beogradin që përfundimisht të heq dorë nga përpjekjet destabilizuese dhe të pranojë se Kosova është e pavarur, sovrane, një dhe e pandarë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›