Kosovë, OSBE: Palët të veprojnë me përgjegjësi

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë për qetësi dhe përmbajtje. Ministri i Jashtëm lituanez, Audronius Azubalis, i cili aktualisht kryeson OSBE-në, u ka bërë thirrje të gjitha palëve, të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të veprojnë me përgjegjësi.
"Çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen në mënyrë të qetë dhe të përgjegjshme, me anë të dialogut të kryesuar nga BE-ja. Mbrojtja dhe siguria e njerëzve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, duhet të jenë prioritet i lartë", ka thënë Azubalis.
Doganierë dhe policë të Kosovës e të EULEX-it janë dërguar sot me helikopterë të KFOR-it në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, ndërkohë që serbët lokalë kanë ngritur barrikada në rrugë.