E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR heq bllokadën serbe të Jarinjes

Ushtarët e KFOR-it nga mbrëmja e sotme kanë filluar të largojnë zhavorrin të cilin serbët e Veriut të Mitrovicës e kishin përdorur për të bllokuar rrugën kryesore që çon në pikëkalimin kufitar të Jarinjës.

Ndërkaq serbët, si kundër-reagim, kanë nisur të sjellin sasi tjera të zhavorrit për të vendosur sërish në rrugë.

Siç raporton agjencia serbe e lajmeve Beta, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, gjendja është e tensionuar, mirëpo nuk ka përleshje.

Ushtarët e KFOR-it gjithashtu kanë hequr flamurin serb i cili po qëndronte në barrikadën e vjetër.

Ata kanë larguar për rreth 100 metra pengesën e vendosur me tela me gjemba në drejtim të Leposaviçit, dhe kanë vendosur tanke dhe mjete të blinduara përgjatë rrugës që çon në bazën e KFOR-it.

Ndryshe, siç raportojnë mediet serbe, ushtarët e KFOR-it janë të pajisur me mjete për pengimin e trazirave.

Forcat e KFOR-it gjithashtu kanë vendosur një pikëkontrolli në bazën e tyre Nothing Hill tek Leposaviçi, ku po kontrollojnë të gjithë qytetarët që kalojnë andej, dhe po lejojnë kalimin e makinave vetëm një e nga një.(Express)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›