Berisha: Në Nju Jork takova të mëdhenjtë e tokës. Obama pranoi ftesën për vizitë në Shqipëri
Kryeministri Berisha ka mbajtur një fjalim pas ardhjes së tij nga Nju Jorku, ku ishte i pranishëm në samitin e përvitshëm të OKB-së.
Në një fjalim para Grupit Parlamentar të PD-së, që ka zgjatur më shumë se një orë, Berisha ka thënë se gjatë këtij samiti ka mundur të takojë gjithë njerëzit e mëdhenj të kësaj toke, mes të cilëve edhe presidentin amerikan, Barak Obama, të cilin e ka ftuar të vizitojë Shqipërinë. Sipas Berishës, Obama e ka pranuar vizitën.
Më poshtë një pjesë e shkurtër e fjalimit të Berishës:
Në Nju Jork vajtëm së pari për të treguar arritjet dhe vizionin e qeverisë shqiptare. Së dyti, për të lobuar për pavarësinë e Kosovës. Së treti, arritje ishte organizimi i forumit të parë amerikan për biznesin në Shqipëri. Në këtë kontekst patëm takime intensive me drejtues koorporatash. Së katëri, pata edhe një arritje në pasionin tim për mediat, pasi fola në disa media kryesore, duke treguar në kryeqytetin botëror arritjet e Shqipërisë. Këtë e bëra para qytetarëve të Nju Jorkut, por dhe botës.
Veprimtaritë politike u konkretizuan me një seri takimesh të shumta, pothuajse me të gjithë të mëdhenjtë e kësaj toke që ndodheshin në Nju Jork: Obamën, kryeministrin e Japonisë, presidentin e Brazilit, të BE-së, kryeministrin e Britanisë, Suedisë, kancelaren dhe presidentin e Austrisë, kryeministrin e Norvegjisë, Malit të Zi dhe shumë të tjerë.
Momentet kulmore ishin dy veprimtaritë e organizuara nga Barak Obama. Njëra prej tyre ishte një ftesë që Obama më kishte dërguar për të marrë pjesë, në drekën që ai organizoi për të lancuar partneritetin për qeverisje të hapur. Ky ishte një rast për të takuar krerët e 70 vendeve të botës së kësaj nisme.
Veprimtaria tjetër ishte pritja që Obama jep për kryetarët e të gjithë delegacioneve nga mbarë bota. Obama u kushtoi një kohë të shkurtër gjithë të pranishmëve.
Obama shprehu fjalë të ngrohta për vendin tonë. E ftova Obamën në Shqipëri dhe ai pranoi me kënaqësi.
I njoha të pranishmit në samit me pasionin që i ka zënë shqiptarët për mbjelljen e druve frutorë.
Një pjesë të fjalimit të tij, Berisha ja ka kushtuar edhe rënies së ziles së mbylljes së bursës së NASDAQ. Ka qenë i vetmi moment i fjalimit, kur Berisha është eksituar nga fjalët e tij, duke shprehur me fjalë dhe duar gëzimin që ndjeu për këtë ngjarje. Berisha ka thënë se ai solli mbarësi për NASDAQ, pasi ajo doli me fitime pas rënies së ziles nga ai.
“Thonë që uji nuk kalon dy herë në të njëtin vend. Por, ftesa që bursa më e madhe, NASDAQ, më bëri mua për të dytën herë, ishte për mua një rast i jashtëzakonshëm. Ftesa për të mbyllur bursën në një kohë krize botërore kishte simbolikën më të madhe. Sheshi dhe kulla ishin të dekoruara me reklama elektronike nga bukuritë magjepsëse të Shqipërisë dhe flamuri i saj kombëtar, që është më i bukuri i botës. Ky ishte një moment emocionues, por zoti e deshi që pas shtypjes nga ana ime e butonit, NASDAQ ishte me fitim. Kjo ma dyfishoi gëzimin. Shqipëria dhe unë sollëm mbarësi”, deklaroi entuziast Berisha.