KFOR-i: Ja si na sulmuan serbët në Rudarë të Zveçanit

Në bazën ushtarake të kontingjentit francez në Vushtrri, Nowitzki ka theksuar se sulmi është kryer nga një grup i vogël kriminal, i gatshëm për dhunë dhe madje për të vrarë ushtarët e KFOR-it.
Nowitzki deklaroi se forcat e KFOR- kanë përdorur municionin luftarak, pasi që ishin sulmuar me armë zjarri nga serbët.
“KFOR-i ka reaguar në vetëmbrojtje, ka përdorur municion luftarak dhe do të jetë i gatshëm që edhe në të ardhmen t’i përdorë ato nëse sulmohen”, ka thënë zëdhënësi i forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.
Sipas KFOR-it, ushtarët janë sulmuar nga armë të tre kalibrave të ndryshëm, ndërsa në automjetet dhe helmetat e ushtarëve janë evidentuar 38 gjurmë nga plumbat. Me këtë rast dy ushtarë të KFOR-it janë qëlluar nga armë zjarri, një prej të cilëve rëndë, kurse gjithsej 19 ushtarë kanë marrë plagë më të lehta, kryesisht nga gurët
“Bëhet fjalë për sulm masiv mbi ushtarët gjermanë dhe amerikanë. Këto sulme kanë ndodhur në distancë kohore prej një ore. Sulmet janë shoqëruar me hedhje masive të gurëve në drejtim të ushtarëve të KFOR-it”, tha Nowitzki.
Për sulmuesit ka theksuar se janë grup kriminal që nuk ka “lidhje me qytetarë e rëndomtë në veri të Kosovës”. Ndërsa, sipas tij, forenzika ka bërë hetime të hollësishme dhe mbi bazë të të dhënave të mbledhura sulmi mbi KFOR-in mund të kualifikohet si tentim vrasjeje.
KFOR është shprehur i qartë se patjetër duhet të sigurohet lëvizja e lirë për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe në këtë drejtim janë ndërmarrë operacionet e fundit për heqjen e barrikadave.
Hetimet për këtë rast, sipas zëdhënësit të KFOR-it, nuk kanë përfunduar ende.