E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i përgjegjës për të krijuar një ambient të sigurt

Në kuadër të vizitave nëpër komuna, Komandanti i KFOR-it Volker Halbauer sot është takuar me drejtues të Komunës së Obiliqit, ku kanë biseduar rreth zhvillimeve të ndryshme dhe problemet e kësaj komune. Halbauer ripërsëriti se KFOR-i është përgjegjës për të krijuar ambient të sigurt, megjithatë ai nuk foli asnjë fjalë për sigurinë në veri.

Me këtë rast, Halbauer ka thënë se është biseduar për çështje të sigurisë dhe ekonomisë.

“Ky takim është i rëndësishëm për mua si komandant i KFOR-it që të jem në kontakt me kryetarët e komunave dhe të informojmë opinionin lidhur me gjendjen e sigurisë, meqenëse KFOR-i është përgjegjës për të krijuar një ambient të sigurt. Ne diskutuam çështjen e sigurisë po ashtu edhe çështjen e zhvillimit ekonomik dhe problemet tjera në këtë komunë” ka thënë Halbauer.

Ndërsa kryetari i komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi ka thënë se në këtë takim është biseduar kryesisht për problemet e komunës në raport me ambientin e KEK-ut.

“Qëllimi i vizitës ishte informacioni rreh zhvillimeve në përgjithësi në komunën tonë, aspekt të ndryshme të sigurisë që kishim kënaqësinë të raportojmë që janë jashtëzakonisht të mira, për mundësitë e kufizime të komunës, për problemet e komunës kryesisht në raport me ambientin me KEK-un, për zhvillimet e përgjithshme të qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se ishte nderim për të që e kishte në vizitë komandantin e KFOR-it Halbauer./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›