E Enjte, 5 Nëntor 2026

KIEV – Baerbock u kërkon aleatëve të mbrojnë qiejt e Ukrainës

KIEV, 21 maj /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock mbërriti sot në mëngjes në Kiev dhe bëri thirrje për më shumë mbështetje ndërkombëtare për të mbrojtur qiejt e vendit nga sulmet ajrore ruse.

“Për të mbrojtur Ukrainën nga breshëria e raketave dhe dronëve rusë, ajo ka nevojë urgjente për më shumë mbrojtje ajrore”, tha Baerbock në fillim të vizitës së saj të shtatë në Ukrainë, që nga shpërthimi i luftës në shkurt 2022.

Udhëtimi i saj nuk ishte njoftuar për arsye sigurie.

Baerbock tha se aleatët e Kievit duhet të “bashkojnë forcat” për hir të Ukrainës dhe për të parandaluar presidentin rus Vladimir Putin të dërgojë trupa në “kufijtë pranë vendit”.

Ministrja gjermane tha se një nismë e udhëhequr nga Gjermania që synon ndërtimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës ka mbledhur pothuajse 1 miliard euro (1 miliard dollarë).

Qyteti i madh i Kharkivit në verilindje të vendit, jo shumë larg kufirit rus, bombardohet çdo ditë. Forcat tokësore ruse kanë përparuar gjithashtu në rajonin më të gjerë të Kharkivit.

Pak para vizitës së Baerbock, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi edhe një herë urgjencën e dërgimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe avionëve luftarakë perëndimorë në vendin e tij.

Zelensky ka kërkuar vazhdimisht dërgimin e dy sistemeve të tjera të mbrojtjes ajrore “Patriot” për të mbrojtur Kharkivin.

Ukraina thuhet se ka tre nga sistemet e fuqishme të mbrojtjes ajrore të prodhuara nga SHBA-ja. Gjermania ka siguruar dy prej tyre, dhe qeveria gjermane së fundmi premtoi një njësi të tretë.

Njësia tjetër “Patriot” aktualisht aktive në Ukrainë vjen nga SHBA-ja. Uashingtoni po shqyrton ofrimin e një sistemi tjetër.

Përpjekjet gjermane për të blerë “Patriot” nga vendet partnere në Evropë ose jashtë shtetit nuk kanë qenë deri më tani të suksesshme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›