KIEV – Dy të vdekur pas sulmeve ukrainase ndaj anijes cisternë në portin jugor të Rusisë

MOSKË, 18 dhjetor /ATSH-DPA/- Dy anëtarë të ekuipazhit u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm me dron ukrainas ndaj një anijeje në portin e qytetit jugor rus, Rostov-on-Don, thanë sot zyrtarët rusë.
Guvernatori i rajonit të Rostov-on-Don, Yury Slyusar tha në Telegram se një anije mallrash ishte dëmtuar gjatë sulmit të natës.
Sipas burimeve, bëhej fjalë për një anije mallrash që ishte shndërruar në një cisternë nafte.
Slyusar tha se një zjarr që kishte shpërthyer në port pas sulmit.
“Një ndërtesë banimi në ndërtim e sipër në pjesën perëndimore të qytetit u godit gjithashtu”, tha Slyusar.
Gjithashtu, dje në mbrëmje, forcat ruse kryen sulme ndaj Ukrainës.
“Në qytetin juglindor të Zaporizhias, të paktën 32 persona u raportuan të plagosur në sulmet ajrore gjatë natës”, sipas guvernatorit Ivan Fedorov.
“Pesë nga të plagosurit ishin fëmijë”, sipas raportimeve.
Agjencia ukrainase e lajmeve “Ukrinform” tha se sulmet ruse kishin shënjestruar ndërtesa apartamentesh, një shkollë dhe një biznes.
Shifrat e viktimave dhe raportet e dëmeve nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Të dyja palët kanë kryer sulme me dronë si pjesë e konfliktit të vazhdueshëm, i cili filloi gati katër vjet më parë – me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Dëmet dhe viktimat në përgjithësi kanë qenë shumë më të mëdha në Ukrainë sesa në Rusi. //a.i/