KIEV – Parlamenti ukrainas refuzon rezolutën që mbështet Zelenskyn

KIEV, 24 shkurt /ATSH-DPA/ – Një rezolutë që kërkonte riafirmimin e legjitimitetit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk arriti të siguronte sot mbështetjen e mjaftueshme për të kaluar në parlamentin ukrainas.
Në një seancë të posaçme të parlamentit ukrainas, Rada Verkhovna, e mbledhur për të shënuar përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Rusisë, rezoluta mori 218 vota, por duke mos pasur 226 të nevojshmet për t’u miratuar.
Rreth 54 anëtarë të parlamentit të pranishëm në sallën e mbledhjeve nuk morën pjesë në votim, përfshirë 38 përfaqësues nga partia ”Shërbëtori i popullit” e Zelenskyt.
Rezoluta u hartua nga udhëheqja parlamentare si një shfaqje simbolike e mbështetjes për Zelenskyn, legjitimiteti i të cilit është vënë nën kritika nga Rusia dhe, së fundmi, nga Shtetet e Bashkuara.
Rezoluta thoshte se ”parlamenti kujton edhe një herë se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u zgjodh në zgjedhje të lira, transparente dhe demokratike. Mandati i tij nuk vihet në dyshim nga populli ukrainas apo nga Verkhovna Rada”.
Dokumenti i referohej edhe nenit 108 të kushtetutës së Ukrainës, sipas të cilit kreu aktual i shtetit qëndron në detyrë derisa presidenti i ardhshëm i zgjedhur të marrë detyrën.
Mandati i rregullt i Zelenskit në detyrë përfundoi në maj, megjithatë nuk mund të caktohen zgjedhje për shkak të ligjit të luftës.
Presidenti i SHBA Donald Trump javën e kaluar akuzoi Zelenskyn si një “diktator” pasi ai nuk kishte mbajtur zgjedhje në vitet e fundit, duke i bërë jehonë pretendimeve të bëra më parë nga Rusia./ a.jor.