E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reshjet e dëborës, Jole: Qarkullim normal përgjatë akseve nacionale në juglindje

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Në qarkun e Korçës gjatë natës ka pasur reshje të dobëta dëbore të shoqëruara me erë të fortë në disa zona, të cilat kanë mundësuar përqendrimin e dëborës në rrugë e vende të ndryshme.

Temperaturat gjatë natës shkuan deri në -7°C, kryesisht në zonat malore.

Sipas informacioneve të marra nga prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, subjektet kontraktore kanë punuar për mirëmbajtjen e akseve kryesore nacionale kryesisht pastrim, kriposje dhe aktualisht vazhdon qarkullimi normal përgjatë këtyre akseve. Prefektura dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki janë në monitorim të situatës.

Nisur nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës, autoritetet rekomandojnë përdorimin e pajisjeve dimërore nga të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Prefekti bën me dije se nga ana e bashkive është punuar për hapjen e rrugëve dytësore e lidhëse, pastrimin e shesheve dhe të rrugicave në qytete, etj.

Është hapur segmenti Vithkuq-Shtyllë-Panarit, Voskopojë-Lekas, janë hapur rrugët lidhëse në bashkinë Devoll dhe do të vazhdohet me Njësinë Adminstrative Miras, në Bashkinë Pustec janë hapur të gjitha rrugët lidhëse me fshatrat. Gjithashtu edhe në Bashkinë Kolonjë ka vazhduar puna për hapjen e rrugëve në Helmës, Prodan dhe Bejkovë.

Nga Bashkia Pogradec janë hapur rrugët lidhëse me qëndrat e Njësive Administrative Proptisht, Velçan, Trebinjë, Dardhas dhe Çërravë, ndërkohë që sot do të vazhdojë puna për hapjen e rrugëve lidhëse me fshatrat e tyre.

Ka përmirësim në furnizimin me energji elektrike, por mbeten pa energji elektrike Bashkia Maliq, fshatrat Protopapë dhe Pulahë, 12 abonentë, në Bashkinë Kolonjë Njësia Administrative Leskovik, fshati Peshtan, Vrepckë, Lashovë e disa të tjera.

Grupet e punës vazhdojnë punën në terren për riparimin e defekteve.

Problem shqetësues vazhdon të mbetet riparimi i defektit dhe rikthimi i energjisë elektrike në fshatrat e Njësisë Administrative Proptisht. /j.p/

1 nga 5

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›