E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KIEV – Sulme masive ajrore ruse godasin infrastrukturën energjetike të Ukrainës

KIEV, 13 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Forcat ruse filluan sërish sulme masive ajrore me dronë dhe raketa kundër Ukrainës gjatë natës, deklaruan Forcat Ajrore të Ukrainës.

Një numër avionësh luftarakë MiG-31 të pajisur me raketa hipersonike ”Kinzhal” sulmuan objektiva të ndryshme në territorin ukrainas.

Vëzhgimet ushtarake thonë se raketat ”Kinzhal” u qëlluan në objektiva në Ukrainën perëndimore pranë termocentralit ”Burshtyn” dhe bazës ajrore ushtarake ”Starokostiantyniv”.

Disa raketa goditën gjithashtu edhe rajonin e Odesës, në jug të Ukrainës.

Ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko, deklaroi se ”sektori i energjisë ishte edhe një herë subjekt i një sulmi masiv”.

Ndërprerje të energjisë elektrike pati në një numër rajonesh për të parandaluar mbingarkimin e rrjetit.

”Katër persona u plagosën në rajonin e Kharkiv në verilindje”, postoi në Telegram guvernatori ushtarak rajonal, Oleh Syniehubov.

Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov raportoi se një dron kishte goditur një ndërtesë banimi.

Forcat ruse kanë shënjestruar vazhdimisht infrastrukturën energjetike të Ukrainës gjatë muajve të ftohtë të dimrit që nga fillimi i pushtimit të tyre në shkallë të plotë në shkurt 2022./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›