KIEV – Ukraina akuzon Rusinë për shantazh bërthamor

KIEV, 26 shtator /ATSH-DPA/- Pas njoftimit të presidentit rus Vladimir Putin për një doktrinë të zgjeruar bërthamore, Ukraina ka akuzuar udhëheqjen në Moskë për “shantazh bërthamor”.
“Rusisë nuk i ka mbetur gjë tjetër veç shantazhit bërthamor. Ajo nuk ka instrumente të tjera për të frikësuar botën”, shkroi dje në mbrëmje në Telegram Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit.
“Tentativa e frikësimit nuk do të funksionojë”, shtoi ai.
Më herët, Putini përshkroi skenarë të rinj të mundshëm për përdorimin e armëve bërthamore ruse, të cilat tani mund të përdoren si kundërsulm edhe në rast të sulmeve masive me armë konvencionale, në rast se rrezikohej ekzistenca e Rusisë.
Kievi po lobon në Uashington për lëshimin e raketave me rreze të gjatë për të shënjestruar territorin rus. Përveç kësaj, ushtria ukrainase ka pushtuar territorin rus në zonën kufitare të Kurskut – që nga avancimi i saj në fillim të gushtit.
Ukraina ka luftuar kundër një pushtimi të plotë rus për më shumë se dy vjet e gjysmë me mbështetjen perëndimore. //a.i/