E Enjte, 5 Nëntor 2026

OKB – Abbas: “Ndal gjenocidit, ndal furnizimit të Izraelit me armë”

NJU JORK, 26 shtator /ATSH-ANSA/ – “Ne nuk do të largohemi! Palestina është atdheu ynë. Është atdheu i baballarëve, i stërgjyshërve tanë dhe ne nuk do të ikim. Nëse ka dikush që duhet të largohet, ata janë uzurpatorët pushtues,” deklaroi sot Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti palestinez  gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndalojë furnizimin e Izraelit me armë, duke deklaruar që “e gjithë bota është përgjegjëse për atë që po i ndodh popullit tonë në Gaza”.

Abbas kërkoi vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm, dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza dhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite.

“Ne nuk duam të luftojmë kundër Izraelit, por duam që populli ynë, familjet tona të jenë të mbrojtura. Autoriteti Palestinez duhet të vendosë pushtetin e tij të plotë në Gaza dhe në Bregun Perëndimor. Nuk kërkojmë as më shumë, as më pak”, shtoi Abbas.

Presidenti i Autoritetit Palestinez bëri gjithashtu thirrje për një “konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete brenda një viti.”

/u.sh/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›