E Martë, 3 Nëntor 2026

KIEV – Ukraina do të punojë me SHBA-në drejt një marrëveshjeje të pranueshme për mineralet

KIEV, 1 prill /ATSH/- Ukraina do të punojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt një dokumenti të pranueshëm reciprokisht të një marrëveshjeje për mineralet që të dy vendet mund të nënshkruajnë, tha sot ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, sipas “Reuters”.

Sybiha tha në një konferencë për shtyp se një raund konsultimesh ishte zhvilluar tashmë për një draft të ri të marrëveshjes së mineraleve dhe se një marrëveshje që siguron një prani të fortë të biznesit amerikan në Ukrainë do të kontribuonte në infrastrukturën e sigurisë së vendit të tij.

“Ky proces do të vazhdojë dhe ne do të punojmë me kolegët tanë amerikanë për të hartuar një dokument të pranueshëm reciprokisht për nënshkrim”, tha Sybiha.

Deklarata erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të dielën se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkon të tërhiqet nga marrëveshja, duke paralajmëruar se lideri ukrainas do të përballej me probleme të mëdha nëse e bënte këtë.

Uashingtoni i propozoi Kievit një marrëveshje të zgjeruar për mineralet pasi të dy palët dështuan në nënshkrimin e marrëveshjes kornizë gjatë vizitës së Zelensky në SHBA në fund të shkurtit – e cila përfundoi me kritika nga presidenti Trump kundrejt homologut të tij ukrainas në Zyrën Ovale.

Propozimi i rishikuar do të kërkonte që Kievi t’i dërgojë Uashingtonit të gjitha fitimet nga një fond që kontrollon burimet e Ukrainës derisa Ukraina të shlyejë të gjithë ndihmën amerikane të kohës së luftës, dhe interesin.

Zelensky tha të premten se Ukraina nuk do të pranonte asnjë marrëveshje për të drejtat e mineraleve që kërcënonte integrimin e saj me BE-në – dhe se ishte shumë herët për të gjykuar mbi marrëveshjen e rishikuar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›