KIEV – Zelensky: Fico bëri gabim duke u mbështetur në skemat e Moskës

KIEV, 13 janar /ATSH-DPA/- Udhëtimi i diskutueshëm në Moskë i kryeministrit sllovak, Robert Fico e ka nxitur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të kritikojë më tej fqinjin e tij.
“Ishte një gabim i qartë për Fico të besonte se ai mund të vazhdonte marrëdhëniet e tij të dyshimta me Moskën pafundësisht”, tha dje në mbrëmje Zelensky në X.
“Para se të ndalohej tranziti i gazit rus përmes Ukrainës, Kievi donte të ndihmonte Sllovakinë, por Fico e mohoi me arrogancë këtë ofertë, pavarësisht se u paralajmërua nga shumë politikanë evropianë”, tha ai.
“Tani, ai po përpiqet të zhvendosë fajin te të tjerët, gënjeshtra dhe akuza me zë të lartë”, shkroi Zelensky.
“Por, problemi është se ai ka vënë bast për Moskën, jo për vendin e tij, jo për një Evropë të bashkuar dhe jo për sensin e përbashkët”, tha Zelensky.
“Ishte një bast i dështuar që në fillim”, shtoi ai.
Fico vizitoi Moskën para Krishtlindjeve dhe u takua me presidentin rus, Vladimir Putin për të diskutuar mundësitë e furnizimit të Sllovakisë me gaz natyror rus.
Kievi nuk pranoi të rinovonte kontratën e tranzitit me Evropën – afati i të cilës përfundoi në fund të vitit.
Të premten në mbrëmje, mijëra njerëz protestuan në 15 qytete sllovake kundër politikës së nacionalistit të majtë Fico.
Ata e akuzuan atë për një kurs pro-rus dhe për “tradhti” të aleatëve perëndimorë dhe Ukrainës fqinje, e cila po sulmohet nga Rusia.
Organizatorët e demonstratës e kritikuan udhëtimin e Fico në Moskë – duke e konsideruar si një “nënshtrim” ndaj interesave ruse. //a.i/