KIEV – Zelensky: Ukraina nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që i jep Rusisë kontrollin e Donbasit

KIEV, 16 dhjetor /ATSH/- Kievi dhe Uashingtoni bënë “progres të vërtetë” drejt paqes në Ukrainë gjatë bisedimeve dyditore në Berlin, tha dje në mbrëmje zyrtari i lartë i sigurisë dhe negociatori Rustem Umerov, edhe pse zyrtarë të tjerë sinjalizojnë se një marrëveshje përfundimtare mbi çështjet territoriale mbetet e paarritshme, sipas “Kyiv Independent”.
Deklarata vjen pasi një delegacion i udhëhequr nga presidenti Volodymyr Zelensky zhvilloi dy raunde diskutimesh me të dërguarit e SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner mbi planin për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Zelensky më vonë komentoi mbi bisedimet, duke dhënë vlerësimin e tij për negociatat dhe duke përshkruar prioritetet e Kievit.
Ai pranoi se ndërsa Uashingtoni po përpiqet për një përfundim të shpejtë të luftës, Kievi është më i përqendruar në sigurimin e cilësisë së çdo marrëveshjeje.
“Rruga nuk është padyshim e lehtë, sepse lufta është e ndërlikuar,” u tha Zelensky gazetarëve.
“Amerikanët duan një përfundim të shpejtë. Për ne, cilësia është e rëndësishme në këtë shpejtësi. Nëse shpejtësia dhe cilësia përputhen, ne e mbështesim plotësisht këtë”, tha ai.
Presidenti gjithashtu përsëriti se Kievi nuk do të pranonte asnjë marrëveshje që e vendos Donbasin nën kontrollin rus.
“Çdo format i Donbasit nën kontrollin rus është i papranueshëm për mua”, tha Zelensky. “As “de jure” dhe as “de facto” nuk do ta njohim Donbasin si territor të Rusisë”, shtoi ai.
Duke folur pranë kancelarit gjerman, Friedrich Merz në Forumin Ekonomik Gjermano-Ukrainas, Zelensky tha se bisedimet nuk ishin “të lehta”, por “produktive”.
“Zyrtarët amerikanë u shprehën optimistë, duke thënë se 90%” e çështjeve ishte zgjidhur, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump thuhet se është “i kënaqur” me progresin e arritur në Berlin”, sipas “The Guardian”.
Bisedimet u përqendruan në diskutimet rreth garancive të sigurisë të ngjashme me ato të NATO-s për Ukrainën, ndërsa disa tema në lidhje me territorin dhe sovranitetin ende kanë nevojë për përmirësim.
Sipas një burimi të pazbuluar të cituar nga AFP, të dy palët nuk arritën një marrëveshje për çështjet territoriale, pasi SHBA-ja vazhdon të nxisë Kievin që t’ia lëshojë të gjitha rajonet e Donetskut dhe Luhanskut Rusisë.
Zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Sergiy Kyslytsya, paralajmëroi kundër “keqinterpretimit” të qasjes së Uashingtonit dhe tha se SHBA-ja mbetet plotësisht e angazhuar në procesin e paqes. //a.i/