E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky: Ukraina nuk i beson Kremlinit pas sulmeve të fundit ruse

KIEV, 26 mars /ATSH/- Suksesi i një marrëveshjeje potenciale midis Ukrainës dhe Rusisë për të ndalur sulmet në infrastrukturën detare dhe energjetike do të varet nga Moska, tha dje në mbrëmje presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke paralajmëruar se Kievi nuk kishte besim te presidenti rus Vladimir Putin pas më shumë se tre vjetësh lufte në shkallë të gjerë, sipas “abc News”.

“Tani duhen rezultate nga Rusia. Ne nuk kemi besim tek ata”, tha Zelensky në fjalimin e tij.

Dhe sinqerisht, bota nuk i beson Rusisë. Ata duhet të dëshmojnë se janë vërtet të gatshëm për t’i dhënë fund luftës, të gatshëm të ndalojnë së gënjyeri botën, presidentin Donald Trump dhe Amerikën”, shtoi ai.

“Nëse ka sërish alarme për sulm ajror, nëse ka aktivitet të rinovuar ushtarak në Detin e Zi, nëse manipulimet dhe kërcënimet ruse vazhdojnë – atëherë do të duhet të merren masa të reja, veçanërisht kundër Moskës”, tha Zelensky.

“Rusia dhe Ukraina ranë dakord të sigurojnë lundrim të sigurt, të eliminojnë përdorimin e forcës dhe të parandalojnë përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi”, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, tre ditë pas takimeve me përfaqësues nga Kievi dhe Moska, në Arabinë Saudite.

“Vendet ranë dakord gjithashtu të marrin masa për të zbatuar marrëveshjen për të ndaluar sulmet kundër objekteve energjetike në Rusi dhe Ukrainë”, tha Shtëpia e Bardhë.

Sulmet me dronë vazhduan gjatë natës deri mëngjesin e sotëm, pavarësisht progresit të dukshëm në marrëveshjen e pjesshme të armëpushimit.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi ​​117 dronë gjatë natës, nga të cilët 56 u rrëzuan dhe 48 humbën gjatë fluturimit.

Në Rusi, Ministria e Mbrojtjes tha se forcat e saj rrëzuan nëntë dronë ukrainas, duke përfshirë dy prej tyre mbi Detin e Zi.

Në rajonin perëndimor të Belgorodit, guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se sulmi me dron plagosi një person dhe theu xhamat e disa ndërtesave.

“Duhen hapa të fuqishëm nga bota dhe presion i qartë ndaj Rusisë”, shtoi Zelensky.

“Më shumë presion, më shumë sanksione nga SHBA, në mënyrë që sulmet ruse të ndalen”, tha ai.

Pasi Putin bisedoi me Trump javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë tha se një armëpushim i pjesshëm 30-ditor i propozuar do të ndalonte sulmet ndaj objekteve të energjisë dhe infrastrukturës.

Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulme ndaj objekteve të energjisë dhe infrastrukturës gjatë negociatave të armëpushimit.

Në fjalimin e tij, Zelensky tha se përgjegjësia për suksesin e armëpushimit të pjesshëm ishte e Moskës.

“Diplomacia duhet të funksionojë. Dhe nga pala ukrainase, ne po bëjmë gjithçka për ta bërë këtë. Falënderoj të gjithë ata që po ndihmojnë. I jam mirënjohës SHBA-së për punën konstruktive dhe efektive të ekipeve tona, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›