KIEV – Zelensky do jetë i pranishëm në ditën e parë të samitit të BE-së

LUKSEMBURG, 24 qershor /ATSH-ANSA-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të jetë i pranishëm në ditën e parë të bisedimeve të Këshillit Evropian, të planifikuara më 27 dhe 28 qershor, sipas burimeve diplomatike.
Prania e Zelensky lidhet me nisma të shumta evropiane në tryezën e bisedimeve për Ukrainën, duke përfshirë nënshkrimin e angazhimeve të sigurisë së BE-së me Kievin dhe mbështetjen ushtarake.
Negociatat për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në Bashkimin Evropian do të fillojnë të martën, më 25 qershor, njoftoi më herët qeveria belge.
Belgjika, e cila vepron në emër të vendeve anëtare të BE-së deri në fund të këtij muaji, tha në X se ministrat kishin miratuar planet e negociatave për bisedimet me të dy vendet, duke lejuar që negociatat të fillonin javën e ardhshme.
Ukraina dhe Moldavia aplikuan për anëtarësim në BE pas pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt 2022.
Por, fillimi i bisedimeve nuk do të thotë që të dy vendet do t’i bashkohen BE-së së shpejti – çdo hap i procesit kërkon marrëveshje unanime midis vendeve anëtare aktuale dhe disa vende të tjera kanë pritur shumë më gjatë.
Udhëheqësit e BE-së njohën zyrtarisht Ukrainën dhe Moldavinë si kandidatë për anëtarësim një vit më parë, në qershor 2023. //a.i/