KIEV – Zelensky pranon armëpushimin e kufizuar në infrastrukturën energjetike

KIEV, 19 mars /ATSH-DPA/- Ukraina ka rënë dakord me propozimin e SHBA-së për një pauzë të përkohshme në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në luftën trevjeçare të nisur nga Rusia, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pas një bisede telefonike me presidentin amerikan Donald Trump.
“Një nga hapat e parë drejt përfundimit të plotë të luftës mund të jetë përfundimi i sulmeve ndaj objekteve të energjisë dhe infrastrukturës civile”, tha Zelensky në një deklaratë pas bisedës një-orëshe.
“Unë e mbështeta këtë hap dhe Ukraina konfirmoi se ne jemi gati ta zbatojmë atë”, shtoi ai.
Deklarata e Zelensky vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin ra dakord me propozimin gjatë një telefonate dje me Trump.
Fillimisht ishte e paqartë se kur do të fillonte armëpushimi i kufizuar.
Nëse zbatohet, do të ishte kufizimi i parë i luftimeve që kur Putini urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Gjatë bisedës me Zelensky, Trump propozoi gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mund të merrnin pronësinë e centraleve bërthamore të Ukrainës si një garanci sigurie.
Para bisedës, Zelensky i bëri thirrje SHBA-së të monitoronte pauzën e sulmeve. //a.i/