E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KINË – 95 të vdekur pas tërmetit që goditi Tibetin

PEKIN, 7 janar /ATSH-AFP-DPA/ – Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm i së martës në Tibet është rritur në të paktën 95, sipas medias shtetërore kineze.

”Tërmeti me magnitudë 7,1 ballë Rihter e kishte epiqendrën e tij në Tibet në një thellësi prej rreth 10 kilometrash”, deklaroi Shërbimi Gjeologjik Amerikan.

Agjencia shtetërore kineze e lajmeve Hsinhua, duke cituar autoritetet lokale, tha se të paktën 95 persona u vranë dhe 62 u plagosën.

Shumë shtëpi pranë epiqendrës u shembën. Tërmeti ndodhi në qarkun Dingri, në shpatin verior të malit Everest dhe rreth 400 kilometra në perëndim të kryeqytetit tibetian, Lhasa.

Lëkundjet janë ndjerë qartë në zonën përreth. Ushtria kineze dërgoi një dron për të monitoruar epiqendrën. Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar dhe banorët janë evakuuar për të shmangur efektet e mundshme të pasgoditjeve, shtoi agjencia.

Qendra e monitorimit të tërmeteve të Kinës CENC regjistroi një magnitudë prej 6,8 ballë Rihter.

Tibeti, si dhe e gjithë Kina jugperëndimore, Nepali dhe India veriore, shpesh preken nga tërmetet e shkaktuara nga përplasja e pllakave tektonike indiane dhe euroaziatike./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›