E Hënë, 2 Nëntor 2026

STRASBURG – Von der Leyen i mbijeton dy votave të mosbesimit në Parlamentin Evropian

STRASBURG, 9 tetor /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe ekipi i saj i mbijetuan sot dy votave të mosbesimit në Parlamentin Evropian në qytetin francez të Strasburgut.

Dy mocionet, njëra e paraqitur nga grupi i ekstremit të djathtë “Patriotët për Evropën” dhe një nga e Majta, nuk arritën të fitonin mbështetjen e nevojshme prej të paktën 360 votash, që përfaqësojnë dy të tretat e të gjitha votave të hedhura.

Mocioni nga e djathta ekstreme u mbështet nga 179 ligjvënës, ndërsa 378 votuan kundër tij dhe 37 abstenuan.

Iniciativa e së Majtës u mbështet nga 133 parlamentarë, ndërsa 383 votuan kundër dhe 78 abstenuan.

“E vlerësoj thellësisht mbështetjen e fortë të marrë sot,” shkroi von der Leyen në X pas votimit.

“Komisioni do të vazhdojë të punojë ngushtë me Parlamentin Evropian për të përballuar sfidat e Evropës. Dhe së bashku të japim rezultate për të gjithë qytetarët evropianë,” tha ajo.

Von der Leyen dhe ekipi i saj janë përballur edhe më herët me një votë mosbesimi në korrik.

Mocioni i ekstremit të djathtë kritikoi politikat e Von der Leyen për klimën, migracionin dhe ekonominë, përfshirë një marrëveshje të fundit tregtare me presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe e akuzoi atë për mungesë transparence dhe censure.

Grupi “Patriotët për Evropën” përfshin ligjvënës nga partia “Fidesz” e kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe partia “Rassemblement National” (RN) e populistes së krahut të djathtë të Francës, Marine Le Pen dhe mbrojtësi i saj politik Jordan Bardella.

Mocioni i së Majtës akuzoi Von der Leyen se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të adresuar katastrofën humanitare në Rripin e Gazës dhe gjithashtu kritikoi marrëveshjen tregtare të komisionit me SHBA-në.

Këtë javë, Von der Leyen mbajti një ton pajtues në një fjalim para Parlamentit Evropian, duke u bërë thirrje parlamentarëve të bashkoheshin dhe duke theksuar se përçarja do t’i shërbente interesave të presidentit rus Vladimir Putin.

Von der Leyen nuk ishte e pranishme në votim në Strasburg, pasi po merrte pjesë në një aktivitet në Bruksel.

Mocionet e mosbesimit kundër Komisionit Evropian janë të rralla.

Në vitin 1999, komisioni nën drejtimin e Jacques Santer dha dorëheqjen për të parandaluar një votim mosbesimi, i cili pritej të kishte sukses, mes akuzave për mashtrim, keqmenaxhim dhe nepotizëm. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›