KINEMA – Mohammad Rasoulof në tapetin e kuq të Kanës, pas arratisjes nga Irani

KANË, 24 maj /ATSH-DPA/ – Regjisori fitues i çmimeve, Mohammad Rasoulof, i cili u largua nga Irani pasi u dënua me disa vite burg, kaloi sot në tapetin e kuq në Kanë për të prezantuar filmin e tij të ri ”The Seed of the Sacred Fig” (“Fara e fikut të shenjtë”), një film sfidë kundër regjimit iranian.
Filmi eksploron sistemin autoritar të Iranit nga një këndvështrim i brendshëm.
Regjisori disident u largua nga Irani pa autorizim pak ditë më parë pasi u dënua me tetë vjet burg.
Gazeta franceze ”Le Monde”, duke cituar një intervistë me Rasoulof, shkroi se ai ka ikur në Gjermani, ku vajza e tij po studion për mjekësi.
Rasoulof i tha revistës ”Screen International” se ai ishte në mes të xhirimeve klandestine të filmit, kur mësoi për vendimin.
Ai e apeloi vendimin dhe mundi ta përfundonte filmin gjatë kësaj periudhe.
Megjithatë, në fund të xhirimeve, gjykata e apelit la në fuqi dënimin.
”E dija se kisha shumë pak kohë para se të vinin të më arrestonin”, tha ai gjatë intervistës.
”Kisha dy orë për të vendosur nëse do të qëndroja dhe mund të shkoja në burg apo të arratisesha, dhe kjo është ajo që bëra”, shtoi ai.
Në ato dy orë, drejtori tha se ai ”braktisi pajisjet e tij elektronike dhe kaloi një kufi malor në këmbë përpara se të strehohej në Gjermani”./ /os/