KKRT dhe KQZ firmosin marrëveshjen e bashkëpunimit

Monitorimi i medias gjatë fushatës zgjedhore për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 08.05.2011, si një detyrim ligjor, bashkoi sot zyrtarisht Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kryetarja e KKRT-së, Endira Bushati, dhe Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, nënshkruan sot në ambientet e KQZ-së, marrëveshjen e bashkëpunimit për monitorimin e operatorëve Radio-televizivë për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 08.05.2011.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, përpara fillimit të periudhës zgjedhore KQZ-ja ngre Bordin e Monitorimit të Medias, i cili shfrytëzon kapacitetet teknike dhe njerëzore, që disponon Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit.
Për rregullat, mënyrën dhe afatet e shfrytëzimit të kapaciteteve teknike të KKRT-së për nevojat e monitorimit, KQZ-ja dhe KKRT-ja lidhën këtë marrëveshje bashkëpunimi.
Bordi do t`i paraqesë çdo ditë KQZ-së, përfundimet e veta për ditën pararendëse. Radiot dhe televizionet publike dhe private në Shqipëri janë të detyruara të regjistrojnë të gjitha transmetimet e tyre gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
Këto regjistrime ruhen për një periudhë tremujore pas përfundimit të zgjedhjeve dhe me kërkesë të KQZ-së, i vihen menjëherë në dispozicion këtij të fundit.