KLD, PD propozon Elvis Cefën në vend të Spahiut

Kreu i AKKP, Elvis Cefa
TIRANE- Rreth 30 deputetë të Partisë Demokratike kanë propozuar Elivis Cefën si zëvendësues të Spahiut në krye të KLD. Partia Demokratike do ti propozojë Kuvendit emrin e kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Kjo u bë e ditur edhe një ditë më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Panorama njofton sot se në pjesën me dyer të mbyllura të mbledhjes, Kryeministri e ka vlerësuar drejtorin aktual të Agjencisë së Pronave si një jurist të spikatur. Cefa do të emërohet në KLD për një mandat pesëvjeçar në vend të ish-nënkryetarit të shkarkuar, Kreshnik Spahiu.
Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i zgjedhur për plotësimin e vendit vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, qëndron në funksion për një mandat të plotë 5-vjeçar, thuhet në pikën 3 të nenit 8 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas plotësimit të vendit të mbetur bosh do të jetë të zgjidhet edhe nënkryetari i KLD-së. Ndonëse zgjedhja e tij bëhet me votim të fshehtë të të 14-të anëtarëve të tjerë të Këshillit, do të jetë kreu i shtetit ai që do të bëjë propozimin. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij një zëvendëskryetar. Zëvendëskryetari organizon veprimtarinë e përditshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, thuhet në pikën 1 dhe 2 të ligjit për KLD-në. Me miratimin e emrit të Elvis Cefës si anëtar të KLD-së, do të mbetet vakant posti i drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas ligjit të AKKP-së, drejtori i këtij institucioni propozohet nga ministri i Drejtësisë dhe emërohet nga Kryeministri. Organika dhe struktura e AKKP-së përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, në përputhje me nenin 10 të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003 Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave. AKKP-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe 2 (dy) zëvendësdrejtorë të Përgjithshëm, thuhet në vendimin e vitit 2010 të qeverisë.