Reforma zgjedhore, raportuesit e KiE-së nisin takimet

Dy bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Tomas Jirsa nga Çekia dhe Grigore Petrenco nga Moldavia të cilët ndodhen në Tiranë për një vizitë 2-ditore faktmbledhëse kanë nisur axhendën e takimeve me anëarët e komisionit të reformës zgjedhore.
Ata do të njihen nga afër me punën e komisionit për reformën zgjedhore për të cilën janë hedhur hapa përpara. Komisioni ka rënë dakord për çështje thelbësore siç është numërimi elektronik i votave, por tashmë çështja më e nxehtë për diskutim mbetet formulimi i KQZ, për të cilën bashkëraportuesit do të kenë mundësi të marrin vetë opinionin e këtij institucioni.
Axhenda e bashkëraporterëve nis ditën e sotme dhe mbyllet në datën 4 prill, pasi ata të jenë takuar me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, përfaqësues të partive politike, Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe Prokuroren e Përgjithshme.
Bashkëraportuesit do të njihen dhe me qëndrimin e palëve sa i përket zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, në kohën kur PD e PS nuk janë shprehur ende për një emër që mund të çonte në votim konsensual. Deri tani, opozita është shprehur kategorikisht kundër një kandidimi të Jozefina Topallit, që sipas kryesocialistit Edi Rama do ti mbyllte rrugën çdo dakordësie me mazhorancën.
Por ajo çka bie në sy në axhendën e bashkëraportuesve ishin diskutimet që lidhen me hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, çështje për të cilën do të ketë edhe një takim të posaçëm me kryeprokuroren Ina Rama.
Pas kësaj vale diskutimesh bashkëraportuesit pritet të japin qëndrimin e tyre në një konferencë për shtyp, në përmbyllje të vizitës së tyre.