E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: Vetëm 8 vende për magjistratë-gjyqtarë

07/09/2009  Pas një viti pezullimi, me propozim të ministrit Alibeaj kthehet magjistratura

Vendimi u mor për të plotësuar vetëm disa vende që duheshin në disa gjykata

TIRANË – Pasi e pezulloi për një vit Shkollën e Magjistraturës, profili gjyqtarë, KLD-ja vendosi t’i japë sërish shanse gjyqtarëve të rinj. Por ky shans do të jetë tepër i kushtëzuar. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e tij të fundit dëgjoi propozimin e ministrit Enkelejd Alibeaj për të rihapur sërish shkollën e magjistraturës profili gjyqtar, me qëllim plotësimin e disa vendeve vakante. Për të ardhur deri në marrjen e një vendimi për këtë shkollë u desh studimi i një grupi pune me anëtarë të KLD-së. Në fund u vendos që numri i kandidatëve të jetë i reduktuar. Sipas burimeve nga KLD-ja, thuhet se një vendim i tillë u mor për të plotësuar vetëm disa vende që duheshin në disa gjykata të rretheve gjyqësore. Ndërsa numri do të jetë i reduktuar, konkurrimi duket se do të jetë i fortë.

Konkurrimet

Në konkurrim do të ketë emra të njohur të fëmijëve të politikanëve të ndryshëm. Gara do të bëhet nëpërmjet një provimi të zgjeruar, por duket se fati i kandidatëve është i përcaktuar. Të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen një testi të fortë, të përgatitur nga profesorët e Shkollës së Magjistraturës dhe nga jurist të njohur. Ka qenë ministri i Drejtësisë ai që hodhi i pari idenë e hapjes së Shkollës së Magjistraturës, edhe pse një vit më parë u propozua mbyllja e dyerve të saj për profilin gjyqtar. Gjykata janë të tejmbushura me magjistrat. Vendet janë të zëna që të gjitha dhe ata që përfundojnë Fakultetin e Juridikut nuk kanë zgjidhje tjetër, vetëm t’i nënshtrohen një provimi të dytë për të dalë në profesionin e tyre të lirë atë të avokatit. Gjyqtarët dhe prokurorët tashmë janë të përcaktuar. Ata do të dalin vetëm nga Shkolla e Magjistraturës, e cila duket se është e tejngopur.

Llogaritjet e drejtësisë

Ministria e Drejtësisë është duke ndërmarr një tjetër hap. Pasi ka bërë përcaktimin e numrit të kandidatëve për magjistrat profili gjyqtar, po studion për secilin gjykatë për të llogaritur saktë se sa gjyqtarë duhen. KLD-ja bën të ditur se ka bërë verifikimet përkatëse për të gjitha gjykatat e Apelit dhe ato të rretheve gjyqësore dhe raportin do t’ia paraqes ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Këshilli ka shpallur vende vakante edhe për dy inspektor. Sipas burimeve nga ky këshill i ka mbaruar mandati inspektorëve Astrit Faqolli dhe Izet Salaj. Deri sa të bëhet konkursi dy inspektorët do të qëndrojnë në detyrë. Në mbledhjen e radhës është përcaktuar që të hapet edhe gjykata e rrethit gjyqësor Përmet. Për këtë gjykatë po studiohet dhe do të përcaktohet numri i gjyqtarëve që do të duhen. Mes dy institucioneve, pra KLD-ja përballë Ministrisë së Drejtësisë ka pasur gjithmonë përplasje lidhur me funksionimin e detyrës së inspektorëve dhe varësisë së tyre. Por deri tani ky problem nuk ka gjetur zgjidhje, vazhdon të jetë i ndarë.

KLD-ja përballë Ministrisë së Drejtësisë

Dy institucione, të cilat lidhin në një pikë të përbashkët. KLD-ja nga ana e saj me inspektorët bën verifikime të punës së gjyqtarëve dhe nxjerr relacione përkatëse për se cilin që kapet me shkelje. E nga ana tjetër Ministria e Drejtësisë me inspektorët e saj bën të njëjtën detyrë. Në fund përplasen në Këshill në momentin kur duhet të bëhet paraqitja e fakteve. Secili nga inspektorët mbron tezën e tij përpara gjyqtarëve. Por edhe pse inspektorët e KLD-së raportojnë në institucionin nga varen, në fund është ministri i Drejtësisë ai që bën relacion për gjyqtarët dhe ka të drejtën e propozimit për pezullimin, transferimin apo pushimin nga detyra.

Procedimet disiplinore

Gjyqtarët e ndëshkuar dhe ata që janë në listë

E ndërsa në disa gjykata shtohet numri i gjyqtarëve, në disa të tjera pakësohet. Nga tetë gjyqtarë që kanë qenë në KLD për masë disiplinore kanë mbetur pa kaluar në sitë vetëm katër prej tyre. Ndërsa për tre është duke u parë materialet përkatëse për secilin e më pas do të dilet në një përfundim. Rasim Doda Sarandë, Enkeleda Kashuri Sarandë, janë dy gjyqtarët për të cilët është vendosur shikimi i dokumenteve të gjendjes civile. Ndërsa i vetmi që i ka shpëtuar deri tani “ndëshkimit” është Alaudin Malaj, ish- gjyqtar i Vlorës, aktualisht në Apelin e Tiranës. Edhe Memo Rexha, gjyqtare e Vlorës, i shpëtoi ndëshkimit nga KLD-ja, edhe pse Ministria e Drejtësisë e zbuti tonin duke kërkuar jo shkarkim, por ulje në detyrë. Manjola Bejleri i është shtuar listës së gjyqtarëve që presin ndëshkim nga KLD-ja. Bejleri është përfaqësuese e shoqatës së gjyqtarëve dhe përplasjet e fundit e kanë futur atë në listë. KLD-ja ka shtyrë edhe shqyrtimin për gjyqtarin Bujar Musta i Elbasanit. Vendosi të shtyjë shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan, Zihni Shahu, për në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Elbasani ka katër gjyqtarë. Veç dy të lartpërmendurve janë edhe Pajtime Fetahu e Taulant Tafa, të cilët janë lënë për në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›