KLD miraton kërkesën e Ministrit të Drejtësisë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka zhvilluar ditën e sotme me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, një mbledhje plenare, e cila filloi me diskutimin dhe miratimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, për pezullimin e shqyrtimit të kërkesave për proçedim disiplinor drejtuar KLD-së për disa gjyqtarë.
KLD pasi shqyrtoi kërkesën e Zëvendësministrit të Brendshëm, ka caktuar dy gjyqtarë në Komisionin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.
Më pas mbledhja e KLD-së ka vijuar me shqyrtimin dhe votimin e kandidaturave për gjyqtarë, të riparaqitura për vendet e mbetura vakant në disa gjykata Administrative të Shkallës së Parë. Pas përfundimit të proçesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e gjyqtares Mariana Velçani në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës dhe emërimin e gjyqtarit Ahmet Jangulli në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër.
Këshilli vendosi gjithashtu shpalljen e një vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër dhe të katër vendeve vakant për gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Rrethi Gjyqësor Tiranë.
Në vijim të mbledhjes, me unanimitet, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vendosi delegimin e gjyqtares së gjykatës së Rrethit Durrës, Joana Qeleshi për të kryer përkohësisht detyrën e Kryetarit të asaj gjykate deri në emërimin e kryetarit të ri nga Këshilli.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë mori në shqyrtim propozimin e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës për emërimin e Neshat Fanës si Drejtori i Shkollës së Magjistraturës dhe me me votimin unanim të të gjithë anëtarëve që morën pjesë në votim, vendosi pranimin e propozimit të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.
Më tej, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pasi shqyrtoi propozimin e Kryeinspektorit dhe ankimet përkatëse, miratoi aktet e Vlerësimit Profesional dhe Etik për gjyqtarët e mëposhtëm:
Albert Spiro, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë;
Albina Spaho, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër;
Fejzo Hysi, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës;
Enton Dhimitri, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër;
Shpëtime Pitaku, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës;
Rexhep Bekteshi, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës
Durim Kadiu, gjyqtar (ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë)
Ema Gashi, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës;
Albano Cepele, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër
Flora Hasimi, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.