KLD shtyn për të premten e ardhshme masën disiplinore ndaj gjyqtarit Tabaku
Nishani për emërimin e gjyqtarëve: Duhet të jenë me integritet
Këshilli i Lartë i Drejtësisë shqyrtoi sot vlerësimin dhe emërimin e gjyqtarëve, ku u miratua data 21 janar për testimin e gjyqtarëve. Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht kryetar i KLD-së Bujar Nishani, i pranishëm në mbledhje kërkoi një vlerësim transparent të gjyqtarëve dhe një përzgjedhje profesionale të tyre. Sipas tij gjyqtarët duhet të jenë persona me integritet.
“Nisim një proces shumë të rëndësishëm për të krijuar një trup me integritet në Gjykatën Administrative”- u shpreh kreu i KLD-së.
Në fjalën e tij Nishani e vuri theksin teka pavarësia e drejtësisë e cila përbën një rëndësi parësore dhe shtoi se ky institucion nuk do të tolërojë asnjë rast që nuk i shërbehet qytetarit.
Nga ana e tij ministri i Drejtësisë Edurad Halimi theksoi se konkurrimi nuk prek cilësinë e gjyqtarëve, i cili nuk do udhëhiqet nga parimet shkollore por nga parimet e një procesi të drejtë dhe të pavarur.
“Besoj se do kemi pjesëmarrje të gjërë të gjyqtarëve, i cili do krijojë gjykata profesioniste dhe gjykata cilësore ne vend”- theksoi ministri Halimi.
Shtyhet për të premten masa disiplinore ndaj Neritan Tabakut
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shtyrë për të premten e javës së ardhshme masën disiplinore ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku. Ky i fundit nuk është paraqitur në KLD për shkak se kishte dërguar një raport mjekësor. Duket se strategjia që gjyqtari që lirioi Ilir Xhakjan të njohur si i forti i Shijakut po përdor strategjinë e bojkotit të KLD-së, në mënyrë që kjo e fundit të mos arrijë të marrë masë disiplinore ndaj tij.
Presidenti Bujar Nishani tha se, “nëse edhe mbledhjen e së premtes së ardhshme Tabaku nuk do të paraqitet vetë, duhet të dërgojë një përfaqësues të tij në KLD në mënyrë që të vijohet me marrjen e masës disiplinore ndaj tij”.
Megjithatë Tabaku strategjinë e bojkotit e ka përdorur edhe në prokurorinë e Tiranës madje pjesë e bojkotit ka qenë edhe mungesa e avokatit për shkak të angazhimeve. Nuk dihet se si do ta zgjidhë KLD shqyrtimin e masës disiplinore ndaj gjyqtarit që nxori nga burgu vrasësin e kryekomisar Adem Tahirajt, nëse ai nuk paraqitet vetë apo nuk dërgon as përfaqësuesin e tij.