E Diel, 1 Nëntor 2026

KLIMĒ – Franca regjistron rreth 1 000 vdekje shtesë në vetëm pesë ditë

PARIS, 28 qershor /ATSH-A/) – Franca ka regjistruar rreth 1.000 vdekje më shumë se sa pritej që nga 24 qershori, ndërsa një valë e jashtëzakonshme e të nxehtit ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit.

Agjencia franceze e shëndetit publik njoftoi se të dhënat, të cilat mbeten paraprake, tregojnë një rritje të ndjeshme të vdekshmërisë gjatë periudhës së temperaturave ekstreme, ku shumica e viktimave janë persona mbi moshën 65-vjeçare.

Agjencia raportoi gjithashtu një rritje prej 40 për qind të vdekjeve në banesa.

Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, paralajmëroi se pasojat shëndetësore të valës së të nxehtit nuk kanë përfunduar ende, pavarësisht rënies së temperaturave në disa rajone, duke theksuar se vendi po regjistron “një numër më të lartë se normalja të vdekjeve”.

Ndërkohë, shërbimi i emergjencës mjekësore i Parisit (SAMU) raportoi 80 vdekje të shtunën, përfshirë 30 raste arresti kardiak, krahasuar me 109 vdekje të regjistruara të premten.

Autoritetet sqaruan se këto shifra përfshijnë vetëm rastet e trajtuara nga shërbimi i emergjencës në Paris dhe nuk përfaqësojnë numrin total të vdekjeve në kryeqytet.

Rritja e vdekshmërisë vjen pas 11 ditësh radhazi me temperatura të larta në pjesën më të madhe të Francës.

Megjithëse temperaturat ranë në disa rajone të dielën pas stuhive të forta, spitalet vazhdojnë të përballen me presion për shkak të sëmundjeve të lidhura me të nxehtin dhe komplikimeve mjekësore të vonuara.

Sipas observatorit Keraunos, më shumë se 127 mijë goditje rrufesh u regjistruan në mbarë vendin gjatë natës së së shtunës, me aktivitet veçanërisht intensiv mes rajonit të Parisit dhe rajonit Hauts-de-France.

Pavarësisht kushteve më të freskëta, Meteo-France ka ruajtur alarmin portokalli për valën e të nxehtit në 22 departamente për ditën e hënë, përfshirë Parisin dhe zonat përreth, si dhe pjesë të Francës juglindore dhe lindore.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›