KLITSCHKO KUJTON HAYDEN PANETTIERE: U nda nga jeta shumë herët

Wladimir Klitschko ka reaguar me një mesazh emocional pas vdekjes së ish-partneres Hayden Panettiere në moshën 36-vjeçare. Ish-kampioni i boksit tha se familja po përjeton tronditje dhe dhimbje të thellë, ndërsa premtoi se vajza e tyre Kaya do ta kujtojë gjithmonë të ëmën me respekt.
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Wladimir Klitschko, ka reaguar pas vdekjes së aktores Hayden Panettiere, me të cilën kishte një lidhje shumëvjeçare dhe një vajzë 11-vjeçare. Në një mesazh publik, ai e cilësoi humbjen e saj si tragjike dhe tha se familja po përjeton një tronditje të thellë.
Klitschko shkroi se Panettiere, edhe pse prej vitesh nuk ishte më partnerja e tij, mbetej një pjesë e rëndësishme e jetës së tij dhe nëna e vajzës së tyre, Kaya. Ai vlerësoi talentin e aktores dhe karrierën e saj, duke theksuar se ajo u përball gjithashtu me anët më të vështira të industrisë së argëtimit.
Hayden Panettiere u nda nga jeta në moshën 36-vjeçare në Greenville të Karolinës së Jugut. Policia ka bërë të ditur se nuk janë evidentuar shenja dhune apo rrethana të dyshimta. Shkaku zyrtar i vdekjes nuk është përcaktuar ende, ndërsa autopsia nuk ka konstatuar trauma.
Klitschko dhe Panettiere u njohën rreth vitit 2009 dhe shpallën fejesën në vitin 2013. Një vit më vonë lindi vajza e tyre, Kaya. Çifti nuk u martua dhe më pas u nda, por ruajti lidhjen për shkak të vajzës.
Pas lajmit për vdekjen e aktores kanë reaguar edhe kolegë të saj. Connie Britton, me të cilën Panettiere luajti në serialin “Nashville”, e kujtoi si një njeri plot energji dhe talent, ndërsa Masi Oka, bashkëaktor në “Heroes”, tha se ishte i tronditur nga humbja.
Panettiere nisi karrierën që në fëmijëri dhe u bë e njohur ndërkombëtarisht me “Heroes”, “Nashville” dhe filmat e serisë “Scream”. Paraqitja e saj e fundit në kinema ishte në filmin “Sleepwalker”.