Ndërron jetë aktorja e njohur braziliane, Laura Cordoso

Aktorja e njohur braziliane Laura Cardoso ka vdekur në moshën 98-vjeçare. Cardoso u nda nga jeta në São Paulo, në orët e para të së martës, ndërsa lajmi u konfirmua nga familjarët përmes profilit të saj zyrtar në Instagram.
“Ylli ynë i madh na ka thënë lamtumirë. Laura Cardoso do të jetë përgjithmonë në zemrat tona”, shkruhej në mesazhin e publikuar nga familja. Sipas vajzës së aktores, Laura u ndje keq në shtëpinë e saj në lagjen Sumaré, në São Paulo dhe ndërroi jetë të hënën në mbrëmje.
Lindur në vitin 1927, Laura Cardoso nisi të punonte qysh në moshën 15-vjeçare, në Rádio Cosmos, ku interpretonte në telenovela radiofonike. Karriera e saj në televizion filloi ne moshen 25 vjeç, me programin “Tribunal do Coração” në TV Tupi.
Gjatë karrierës së saj, Cardoso mori pjesë në më shumë se 60 telenovela, duke u bërë aktorja braziliane me numrin më të madh të titujve në karrierën e saj. U bë veçanërisht e njohur për rolet në produksione të suksesshme si “Chocolate com Pimenta”, “Gabriela”dhe “Império”.
Në vitin 1981, aktorja iu bashkua TV Globo, një prej rrjeteve më të mëdha televizive në Brazil, me telenovelën “Brilhante”, të shkruar nga Gilberto Braga. Në dekadat që pasuan, ajo u shfaq në më shumë se 20 produksione të këtij kanali dhe u kthye në një nga fytyrat më të njohura të telenovelave braziliane.
Roli i saj i fundit në televizion ishte në vitin 2019, në telenovelën “A Dona do Pedaço”. Pavarësisht moshës së avancuar, Cardoso vazhdoi të ishte aktive në art dhe të merrte pjesë në projekte të ndryshme.
Puna e saj nuk u kufizua vetëm në television ,me një karrierë të gjatë edhe në teatër dhe kinema, duke u vlerësuar me pesë trofe të APCA-së, çmimi i Shoqatës së Kritikëve të Artit të São Paulos, ndërsa në Festivalin e Filmit Gramado u nderua me Çmimin Oscarito për kontributin në kinemanë braziliane.
Në vitin 2006, Presidenti i atëhershëm Luiz Inácio Lula da Silva i akordoi Urdhrin e Meritës Kulturore, një prej nderimeve më të larta që jepet në Brazil në fushën e kulturës.
Puna e saj e fundit ishte filmi i shkurtër “Dona Rosinha”, i publikuar në vitin 2025.
Vdekja e Laura Cardosos shënon fundin e një prej karrierave më të gjata ,duke lënë një gjurmë të rëndësishme në kulturën dhe televizionin e Brazilit.