E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH, Topi propozon Sali Shehun, PD: Është sekseri i gjyqtarëve

Topi dekreton ish-deputetin demokrat Sali Shehu për në krye të KLSH-së. PS-ja, kundër. Edhe PD-ja drejt këtij qendrimi. Alibeaj: “Gjyqtarë të promovuar në bazë paraje, korrupsioni. Një prej personave që ishte ndërmjetësi në këtë mes ishte propozimi i zotit Topi për postin e KLSH-së”.

TIRANË Ish-deputeti demokrat Sali Shehu, të cilin kryeministri Sali Berisha nuk e përfshiu në listën e deputetëve për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, është emri i propozuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Prej ditësh emri i Shehut lakohej jo zyrtarisht mes deputetëve, ndërsa dje Presidenti ka vënë firmën, duke çuar në Kuvend një kandidat që pritet të sjellë jo pak përplasje kryesisht brenda të djathtës. “Në mbështetje të neneve 162, pika 2 dhe 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 11 të ligjit 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, dekretoj Sali Shehun për t’u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit”, - thuhet në dekretin e Presidentit të Republikës. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Qëndrimi i PD-së

Legjislaturën e kaluar Sali Shehu ka qenë deputet i Partisë Demokratike, i zonës Bulqizë, qarku Dibër. Ai ka mbaruar Akademinë e Lartë të Oficerëve të Policisë në Tiranë dhe Fakultetin e Juridikut. Edhe pse me një karrierë të gjatë në polici si përfaqësues i PD-së, dhe më pas deputet me 51% të votave legjislaturën e kaluar, Sali Shehu ishte ndër ata emra që nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputet të miratuar nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, në zgjedhjet e 2009-ës, për shkak të mbështetjes jo të vogël që ai kishte dhënë për Bamir Topin si President. Që prej vitit 2009, Shehu është parë disa herë në krah të Presidentit të Republikës, ndërkohë që aktualisht ai është shef i sektorit juridik në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Përfshirja e tij në drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, ka vënë jo pak në pozitë grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Sali Shehu nuk është më anëtar as i Këshillit Kombëtar, megjithatë votimi i emrit të tij e vështirëson deri diku qëndrimin e lidershipit demokrat. Burime nga PD-ja deklaruan dje për gazetën “Mapo” se ende nuk ka një qëndrim zyrtar ndaj kësaj kandidature edhe pse jo zyrtarisht paralajmërohet një rrëzim i mundshëm i këtij dekreti. Në emisionin “Top Story” në TCH, i pyetur për këtë kandidaturë, deputeti i PD-së, Enkeled Alibeaj u përgjigj: “Për rastin konkret po ju pyes more si e përzgjodhi Presidenti emrin përkatës, çfarë procesi konsultimesh ndoqi? A mos ka ndjekur thjesht dhe vetëm kritere të klientelizmit, miqësisë e simpatisë së vet? E sigurtë është se nuk ka pasur një proces konsultimi e transparent përzgjedhjeje. Pra deklarimi paraprakisht i vlerave që do kërkonte tek kandidatura që do të propozonte. Thjesht na doli një emër përkatës. Mjafton kjo pjesë, ky fragment i vogël pra që s’jemi për lidhjet miqësore që presidenti ka me zotin Shehu...”. Alibeaj konstatoi se i ka kushtuar edhe si ish-ministër i Drejtësisë vëmendje të veçantë pushtetit gjyqësor. Sipas tij, çështja që ka lidhje me promovimin e gjyqtarëve është ndër pjesët më të zeza që sistemi gjyqësor ka pasur gjatë presidencës Topi. “Gjyqtarë të promovuar në bazë paraje, korrupsioni. Një prej personave që ishte ndërmjetësi në këtë mes ishte propozimi i zotit Topi për postin e KLSH-së”, - u shpreh Alibeaj.

Qëndrimi i PS-së

Edhe pse parimisht kryetari i PS-së, Edi Rama, është shprehur se do të votojë çdo kandidaturë që vjen nga Topi për drejtimin e KLSH-së, emri i Sali Shehut shihet jo pak pengesë. Edhe nga grupi parlamentar i PS-së nuk ka ende një qëndrim zyrtar edhe sepse kjo forcë politike kujton jo pak karrierën e Shehut. Nga muaji tetor i vitit 1995 e deri në gusht të ’97-ës, Sali Shehu ka qenë shef i komisariatit numër 2 në Tiranë, ndërsa për periudhën mars-korrik të po këtij viti, Sali Shehu ka drejtuar forcat e policisë për mbrojtjen e Tiranës dhe Institucioneve të Shtetit. Pozicioni i tij kyç në polici në vitin më të mbrapshtë, por edhe ngjarjet që rrodhën pas këtij viti, ndaj tij e bën të vështirë marrjen e një vendimi “pro” nga ana e PS-së. Shehu gjithashtu ka qenë kritik legjislaturën e kaluar me disa deputetë të PS-së, ku mbahet mend jo pak debati që ai pati me deputetin socialist Erion Braçe, të cilin e cilësoi si “mi halesh” edhe pse më pas kërkoi ndjesë për këtë etiketim. Një qëndrim kundërshtues ndaj emrit të Sali Shehut mund të konsiderohej edhe një taktikë e mirë e PS-së për të lënë përballë kësaj kandidature pikërisht grupin parlamentar të PD-së, aty ku për katër vite me radhë ai ka qenë koleg me shumë prej atyre që sot vijojnë të jenë në Kuvend. Kryetari i ri i KLSH-së zgjidhet me 71 vota, andaj sprova më e madhe në këtë rast, më shumë sesa vota e PS-së, do të ishte përballja “Shehu-PD”.

N.Perndoj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›