E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbetjet urbane bllokojnë përrenjtë malorë

Gjirokastër Shirat e rrëmbyeshëm të vjeshtës si dhe depozitimi pa kriter i mbetjeve urbane përgjatë shtretërve të përrenjve malorë në qytetin e Gjirokastrës, kanë rikthyer shqetësimin e daljes nga shtrati i tyre të ujërave të rrëmbyeshëm. Për vetë pozicionin gjeografik në të cilin shtrihet qyteti i Gjirokastrës, lagjet e tij përshkohen nga një numër i konsiderueshëm përrenjsh malorë. Aktualisht, shtretërit e këtyre përrenjve janë kthyer në një kazan natyror mbeturinash për depozitimin e mbetjeve urbane, ndërtimorë etj, duke e humbur kështu funksionin e tyre natyror aq më tepër në këtë dimër me shira të rrëmbyeshëm. Përgjatë shtretërve të përrenjve të Palortosë, Varoshit, Dunavatit, Manalatit etj, banorët apo subjekte të ndryshme hedhin pa kriter mbeturinat. “Na mbyti pisllëku. Kundërmon gjithandej erë e rëndë dhe nuk guxojmë të hapim dritaret e shtëpive”, - thotë një banore e lagjes Granicë. Shtëpia e saj ndodhet fare pranë përroit malor që ndan lagjet Granicë dhe Palorto, ndërkohë që në shtratin e tij të zë syri të hedhura mbetje ndërtimore, tulla, shishe plastike, togje të tërë mbetjesh urbane etj. Banorët e kësaj lagjeje thonë se punonjësit e komunales vazhdimisht e pastrojnë shtratin e përroit, por sërish ai mbushet nga mbeturinat. Specialistët thonë se si shkak i depozitimit pa kriter të mbetjeve urbane përgjatë shtretërve të përrenjve malorë në Gjirokastër, rrjedha e rrëmbyeshme e ujërave në këto ditë vjeshte ka devijuar duke shkaktuar erozionin dhe dëmtimin e zonave që ndodhen përgjatë këtyre përrenjve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›