Tryeza për drejtësinë, Xhafaj fton Berishën
TIRANË Me qëllim evidentimin e përgjegjësive që rrjedhin nga rekomandimet e Progres-Raportit lidhur me sistemin e drejtësisë, Partia Socialiste i ka drejtuar dje një ftesë kryeministrit Berisha; kryetares së Kuvendit, Topalli; kreut të grupit parlamentar, Astrit Patozi; dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali; që të bëhen pjesë e tryezës që sot selia rozë do të organizojë në ambientet e hotelit “Sheraton”. Ftesa është dërguar nga nënkryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, ndërkohe që gjasat për të marrë pjesë PD-ja janë shumë të pakta. “Grupi parlamentar socialist, komisioni i Ligjeve do të zhvillojë tryezën me temë: Drejtësia në sfidën e integrimit ‘Reflektim mbi rekomandimet e Raport Progresit të BE-së’ Në tryezë janë ftuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të komisionit për Çështjet Ligjore, administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, përfaqësues të trupit diplomatik, akademikë, përfaqësues të institucioneve të sistemit të drejtësisë, pedagogë, ekspertë, avokatë, përfaqësues të grupeve të interesit si dhe projekteve e organizatave jo fitimprurëse vendëse dhe të huaja që veprojnë në Shqipëri në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë. Tryeza synon zhvillimin e një debati të hapur konsultues, lidhur me përgjegjësitë që rrjedhin nga rekomandimet e progres-raportit të BE-së për sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe nevojën për reflektimin e tyre”, thuhet në ftesën e PS-së. Tryeza e sotme shënon fillimin e 5 takimeve të tilla që Partia Socialiste do të organizojë për çështjet kyçe që shqetësojnë sot vendin.