KLSH, kallëzim drejtorit të AKTI-t, i ka shkaktuar 10 milionë lekë dëm shtetit
Kontrolli i Lartë i Shtetit kallzon në Prokurori Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit pasi i ka shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit të shtetit prej 10 milionë lekësh të reja.Sipas një njoftimi të KLSH-së thuhet se gjatë auditit të kryer në këtë agjensi u konstatuan mjaft parregullsi dhe shkelje të legjislacionit në zbatimin e disa projekteve.
Në këtë mënyrë si rezultat i dëmit të konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedures Penale ka bërë kallëzim penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të AKTI, për konsumim të veprës penale “Shpërdorim të detyrës”.
Për përmirësimin e gjendjes dhe mënjanimin e parregullsive dhe shkeljeve financiare në të ardhmen, KLSH i ka rekomanduar Bordit Drejtues të AKTI-t 11 masa të karakterit organizativ, 4 masa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar si dhe 2 masa disiplinore, përkatësisht:
“Shkarkim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm . Nga auditimi në 3 (tre) projekte në bashkëpunim me subjekte private, nga 50 të miratuara gjithsej u zbuluan parregullsi dhe mungesë e dokumentacionit justifikues në shpenzimet e kryera në valutë për udhëtime e dieta jashtë vendit.
Një tjetër shkelje kishte të bënte me mosmiratimin e Rregullores së Brendshme të funksionimit të Agjencis si dhe me Mosdorëzim në Këshillin e Ministrave dhe në Agjencinë e Prokurimit Publik të regjistrave vjetorë të parashikimit dhe realizimit të prokurimeve për vitin 2010, 2011 dhe 2012, në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara. Në bazë të këtyre shkeljeve Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri kallëzimin penal kundrejt drejtorit të këtij institucioni.
Ja shkeljet që janë konstatuar nga KLSH-ja
Nga auditimi në 3 (tre) projekte në bashkëpunim me subjekte private, nga 50 të miratuara gjithsej(prej të cilave 4 me subjekte private dhe të tjerat me institucione publike), u zbuluan parregullsi dhe shkelje të ligjshmërisë, me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 10,724 mijë lekë. Konkretisht:
Parregullsi dhe mungesë e dokumentacionit justifikues në shpenzimet e kryera në valutë për udhëtime e dieta jashtë vendit, si: shkresa për përballimin e shpenzimeve pa numër protokolli dhe pa datë, mungesë të ftesave dhe programit, të dokumenteve informuese mbi agjendën dhe rezultatet e shërbimeve zyrtare të kryera etj.
Mosmiratim i Rregullores së Brendshme të funksionimit të Agjencisë, në zbatim të pikës 11, të VKM-së nr. 903, datë 26.08.2009, i ndryshuar. Mungesa e rregullores, ndër të tjera ka sjellë që të mos realizohet një nga kërkesat themelore që rregullon veprimtarinë e kësaj Agjencie, të përcaktuar në pikën 9, të VKM-së të sipërcituar dhe konkretisht: “AKTI, për çështjet e përmbajtjes dhe të vlerësimit të programeve e të projekteve, mbështetet me ekspertizë nga komisionet e vlerësimit të programeve e projekteve, që propozohen nga Drejtori i Përgjithshëm dhe miratohen nga Bordi Drejtues, në përputhje me rregulloren e funksionimit të kësaj agjencie”. Po ashtu, mungesa e Rregullores ka bërë që anëtarët e komisioneve të vlerësimit të përzgjidhen nga Drejtori i Përgjithshëm i AKTI-së pa konkurrencë (alternativa) dhe pa u bazuar në ndonjë kriter apo ndonjë procedurë të përcaktuar më parë.
Mosdorëzim në organin epror, në Këshillin e Ministrave dhe në Agjencinë e Prokurimit Publik të regjistrave vjetorë të parashikimit dhe realizimit të prokurimeve për vitin 2010, 2011 dhe 2012, në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në VKM-në nr. 1, datë 10.01.2007 “Për Rregullat e Prokurimit Publik”, i ndryshuar; moscaktimin e Koordinatorit të riskut dhe mosngritjen e Grupi të Menaxhimit Strategjik të AKTI-t, si dhe moshartimin dhe mosarkivimin e gjurmëve të auditimit të detajuara për procedurat e prokurimit publik, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”.
Gjatë gjithë periudhës nën auditim, Bordi Drejtues i Agjencisë ka funksionuar pa Sekretar i cili zgjidhet nga anëtarët e tij, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.
Për të gjitha parregullsitë dhe shkeljet financiare të konstatuara dhe të pasqyruara gjerësisht në raportin përfundimtar të auditimit, përgjegjësi direkte mban Drejtori i Përgjithshëm i AKTI.