KLSH padit Ylli Pangon për 100 mijë USD abuzime. Reagon ish- ministri: Leskaj më urren
Telashet për Ylli Pangon nuk kanë të sosur. Pas skandalit seksual që i shkatërroi karrierën, hetimeve për Piramidën, ish- ministri i Kulturës do të hetohet tani edhe për 100 mijë dollarë abuzime në krye të Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Dosja është përpiluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe i është dërguar prokurorisë.
Në dosjen e KLSH thuhet se Pango ka abuzuar me tre projekte.
Ndërkohë vetë Pango thotë për Panoramën se ky është një akt urrejtje i kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj.
Është një akt i përsëritur urrejtjeje primitive i Bujar Leskajt. Të gjitha vendimet për të financuar projektet merren nga një komision vlerësimi me specialistët më të mirë të fushave përkatëse profesorë e doktorë kryesisht, dhe më pas aprovohen nga një bord me 9 veta, i përbërë nga personalitete të Ekzekutivit. Drejtori Ylli Pango firmos në fund, pasi firmosin këta të gjithë e pasi autorizohet nga bordi sipas VKM. Agjencia është vlerësuar shkëlqyer edhe nga Komisioni Europian në progres- raportin e 2011-s (shih faqen 58 Varianti anglisht). Në ditët në vijim do të keni informacione të tjera se deri ku shkon shpifja dhe poshtërsia e Leskajt për të shfryrë urrejtjet personale. Prokurorisë i janë dërguar gjithë provat e faktet që dëshmojnë punën tonë korrekte, reagoi Pango./ep