Zedhenesja e Komisionerit per Energjine ne BE

Nga Brukseli, kryeqendra politike e Bashkimit Europian, vendimi për zgjedhjen e TAP si linjë e përçimit të gazit azerbajxhanas, është pritur me gëzim. Marlene Holzner, zëdhënësja e komisionerit për energjinë, në një intervistë për Dojçe Vele thotë se për BE është e rëndësishme që krahas partnerëve të tjerë si Rusia apo Norvegjia, të ketë edhe furnizues të tjerë gazi.
“Ne besojmë se kërkesa e shtuar për gaz në të ardhmen, në vitin 2030 e më tutje, mund të mbulohet me gaz nga rajoni i Kaspikut, nga Azerbajxhani, ndoshta Turkmenistani e në të ardhmen edhe Iraku. Siguri në furnizim do të thotë që në rast të një krize gazi, si p.sh. në 2006 apo 2009, të kemi brenda BE-së sasi të mjaftueshme gazi, edhe nga burime të tjera, në mënyrë që të gjithë të furnizohen me gaz. Ne mendojmë se tregu i gazit është një treg si gjithë të tjerët. Për këtë arsye dëshirojmë më shumë furnizues dhe aq shumë linja përçimi gazi brenda BE-së, sa çfarëdo të ndodhë, familjet të marrin gaz nga burime të tjera dhe të mos vuajnë të ftohtët”, deklaroi Holzner.
Zëdhënësja e komisionerit për Energjinë, thotë se në politikat e saj BE, nuk ka favorizuar asnjë projekt konkret, mes Nabucco apo TAP.
“Ne kemi qenë krejtësisht neutralë sa i përket pyetjes se cila linjë do të merrte miratimin e konsorciumit. Por është e vërtetë që në fillim Nabucco ishte i vetmi projekt që parashikonte një linjë plotësisht të re përçimi gazi nga Gjeorgjia në Evropë. Asokohë nuk kishte alternativë për gjithë linjën. Kjo situatë ndryshoi plotësisht pasi tani me TAP-in kemi një linjë që shtrihet brenda BE-së dhe Shqipërisë. Në të njëjtën kohë po ndërtohet edhe në Turqi një linjë e re. Pra de facto nuk ka ndryshim nëse kemi versionin fillestar Nabucco apo TAP dhe TANAP (linja në Turqi). Të dy projektet ofrojnë një linjë përçimi gazi të gjatë, të re, të plotë, një lidhje direkte me Azerbajxhanin. Kjo ka qenë për ne strategjia e korridorit të jugut dhe këtë tani e arritëm”, u shpreh ajo.
Marlene Holzner, thotë për Dojçe Vele se varianti i tanishëm parashikon që në Evropë të sillen fillimisht 10 miliardë metër kub gaz në vit. Për të ardhmen, mund të shihet mundësia e që krahas TAP, të ndërtohet një linjë e dytë furnizimi.