E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH padit në Prokurori dy auditues, abuzuan me detyrën

KLSHDurrës/Në vazhdën e raporteve për kontrollet në institucionet shtetërore KLSH ka bërë publike ditën e djeshme dhe disa shkelje të radhës të kryera në doganën e qytetit të Durrësit ky dy zyrtarë kanë abuzuar me fondet duke mos e bërë publik në dy raste auditimin e kryer për karburantet në sektorin e Porto Romanos. Sipas njoftimit KLSH, gjatë kontrollit të sigurisë të ushtruar në Degën e Doganës Durrës në vitin 2013, ka dërguar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal për dy prej audituesve të këtij institucioni, dhe përkatësisht z. Xh.D. dhe znj. E.T, të cilët në shkelje të plotë të ligjit organik të KLSH-së, rregullores së brendshme kanë shpërdoruar detyrën parashikuar nga nenin 248 i Kodit Penal. Më konkretisht, nga kontrolli i kryer rezultoi që këta auditues, në tejkalim të kompetencave të tyre audituese, kanë vendosur që të mos kryejnë dhe mos pasqyrojnë në raportin e auditimit, auditimin e dy prej pikave më të rëndësishme dhe të konsideruara si pika me risk tepër të lartë auditimi, konkretisht auditimin e regjimeve të përpunimit pasiv dhe regjimeve të magazinimit doganor, duke shmangur në këtë mënyrë detyrimet financiare, shkeljet dhe përgjegjësitë. Për përfundimin e këtij auditimi, këta auditues kanë patur në dispozicion rreth 11 javë, përfshirë këtu edhe 2 javë të shtuara me kërkesë të vetë grupit të auditimit, dhe pavarësisht këtij fakti, ata kanë vendosur që në raportin përfundimtar të auditimit të fshehin qëllimisht dhe të mos pasqyrojnë faktin që nga ana e tyre nuk ishte audituar përllogaritja e detyrimeve doganore të karburanteve në sektorin e Porto Romanos. Me konstatimin e këtyre shkeljeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ndërmarrë ndaj dy audituesve të mësipërm edhe masën përkatëse disiplinore të Largimit nga shërbimi civil, ku vlen të theksohet që nga ana e znj. E.T, për të cilën është bërë dhe kallëzim penal, po shfrytëzohen hapësirat e mundshme ligjore për shmangien e ballafaqimit dhe përfundimin e procedurave përkatëse të largimit nga puna, duke paraqitur vazhdimisht raporte fiktive mjekësore për paaftësi të përkohshme në punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›