E Diel, 1 Nëntor 2026

KMDLNJ: Të përmirësohen shërbimet ndaj qytetarëve

KMDLNJ-së në Prishtinë por edhe në qytetet tjera i janë drejtuar qytetarë që ankohen se nuk po kanë mundësi të pajisen me certifikata personale dhe familjare dhe të tjera për shkak të ndryshimit të programit nga Ministria për Punë të Brendshme.

“Për këtë arsye sistemi i vjetër është lënë anash ndërsa sistemi i ri i instaluar nuk po funksionon dhe për këtë arsye para sporteleve në komunën e Prishtinës dhe komunave të tjera po krijohen radhë të gjata të qytetarëve që po presin orë të tëra të cilët nuk po kanë mundësi të pajisen me certifikata e për pasojë as me dokumente të tjera.

Për situatën e krijuar KMDLNJ e bënë përgjegjëse Ministrinë për Punë të Brendshme që nuk e ka trajnuar me kohë dhe si duhet stafin të ngarkuar për implementimin e programit të ri dhe për pasojë po u shkakton shumë probleme qytetarëve duke ua humbur kohën dhe duke mos u lëshuar dokumentacionin e kërkuar.

Edhe ky dështim i radhës do të duhej të ishte mësim se reformimi i administratës është i nevojshëm dhe i domosdoshëm e që ka për qëllim ngritjen e nivelit profesional që nënkupton edhe shërbime më të shpejta dhe më kualitative. Qytetarët e Kosovës nuk mund të mbesin peng i papërgjegjësisë të departamentit përkatës të Ministrisë për Punë të Brendshme përkatësisht moskordinimit të punëve të kësaj ministrie me autoritetet komunale të cilat në rastin konkret nuk mbajnë përgjegjësi por përballen me një pakënaqësi të madhe të qytetarëve”, thuhet në reagim.

KMDLNJ kërkon nga autoritet përgjegjëse që ky problem të tejkalohet sa më shpejt të jetë e mundur duke kërkuar edhe përgjegjësi konkrete për këtë dështim të ofrimit të shërbimeve.

KMDLNJ kërkon gjithashtu nga autoritetet komunale që pasi të tejkalohen problemet e shkaktuara të punohet me orar të zgjatur dhe gjatë vikendit në mënyrë që qytetarët të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›