E Diel, 1 Nëntor 2026

KMDLNJ kërkon përgjegjësi nga policia, neglizhoi kërcënimin

KMDLNJ kritikon Policinë e Kosovës sepse ka neglizhuar rastin e kërcënimit ndaj Nazlie Balës, duke mos e trajtuar seriozisht dhe për pasojë, znj. Balaj u sulmua fizikisht në hyrje të banesës së saj nga persona të paidentifikuar për çka edhe kërkoi ndihmë mjekësore.

Përmes një reagimi, KMDLNJ pasi dënon ashpër këtë sulm ndaj veprimtares Nazlie, kërkon përgjegjësi nga Policia e Kosovës përkatësisht nga ata që ishin të detyruar ta marrin në mbrojtje znj. Balaj dhe tërheq vërejtjen për pasojat e mundshme! “Nëse nuk garantohet siguria atëherë nuk mund të përjashtohet as mundësia e rrezikimit të jetës së Nazlie Balaj. Raste të ngjashme janë ende shumë afër për t’i harruar”, theksohet në këtë reagim.

Prandaj, thotë KMDLNJ, Policia e Kosovës duhet t’i luftojë të gjithë ekstremistët në
mënyrë që të krijohen kushtet për një jetë të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës.
KMDLNJ kërkon gjithashtu që të mos prejudikohet fajësia apo adresohet përgjegjësia për këtë sulm fizik ndaj znj. Balaj pa përfunduar hetimet.

Por sipas vlerësimeve të KMDLNJ-së, “gjuha e dhunshme e përdorur në Kuvendin e Kosovës po bartet edhe në rrugë apo mjedisin ku jetojmë andaj edhe i kemi këto sulme”, duke kërkuar që Policia e Kosovës të ndërmarrë veprime edhe ndaj atyre që përdorin fjalor të dhunës, të urrejtjes, mosdurimit dhe përjashtimit./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›