Vullin: Nuk do të shuhen institucionet e Serbisë në Kosovë

Alleksandar Vullin, i ashtuquajtur drejtor i Zyrës për Kosovë, i cili ka paralajmëruar një vizitë treditore në Kosovë, takimet e tija i ka nisur në Ranilluk, që deri dje ishte fshat i komunës së Dardanës e ku kjo komunë i ka të vendosura strukturat e saja.
Vullin, që ka bashkëbiseduar me të ashtuquajturit përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, përfaqësues të arsimit, shëndetësisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe, u ka thënë atyre se nuk do të ketë shuarje të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe se Plani i Marti Ahtisarit për ta nuk është i pranueshëm, ngase siç u ka thënë Vullin serbëve të tubuar, ky plan nuk i ka sjellë asgjë të mirë komunave të reja të formuara e që janë me shumicë serbe.
Mediat serbe kanë raportuar për qëndrimin e Vullnit në Anamoravë dhe për aktivitetet e tija në takimet që ka pasur.
Vullini ka paralajmëruar se do të qëndrojë edhe në fshatin Prilluzhë të komunës së Vushtrrisë, por edhe në komunat në veri të Kosovës, ku edhe atje do t’i takojë përfaqësuesit e komunave dhe subjektet afariste. /Indeksonline/