KOKSH, marrëveshje bashkëpunimi me Kroacinë

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe ai i Kroacisë kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi për rritjen e nivelit të sporteve, kjo që nga fëmijët e deri në nivelin e të rriturve. Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, dhe ai i Komitetit Olimpik të Kroacisë, Zllatko Matesa, kanë hedhur firmat mbi marrëveshje, ndërsa më parë kanë bërë dhe një bisedë kokë më kokë mes stafeve përkatëse. Matesa ka qenë i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kroacisë, Sinisha Krajaç. I pari i olimpizmit shqiptar dhe ai kroat kanë vlerësuar këtë marrëveshje bashkëpunimi.
“Ishte një vizitë e suksesshme dhe do të mbyllet me këtë memorandum bashkëpunimi që do të firmosim sot të dy Komitetet Olimpike”, thotë i pari i olimpizmit shqiptar, Fidel Ylli.
“Jam shumë i lumtur për këtë takim dhe marrëveshje bashkëpunimi mes dy Komiteteve Olimpike, që rrjedhimisht do të sjellin rritjen e nivelit të sportit të të dy vendeve. Edhe në takimet që pata me homologun Ylli, apo dhe me kryeministrin Rama e Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, vlerësoj që sporti shqiptar po njeh hapa në rritje. Sporti në shkolla është themeli i ngritjes së sportit profesionist, sepse që nga aty do të lindin talentet e së ardhmes. Besoj që bashkëpunimi mes të dy palëve do të jetë i frytshëm”, shpjegon Zlatko Matesa.
Kjo është marrëveshja e tretë që Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar firmos me Komitetet Olimpike në Botë. E ka nisur me Hungarinë, ka vazhduar me Sri Lankën dhe tani me Kroacinë, ndërsa është e hapur me të gjitha Komitetet Olimpike në Botë për bashkëpunim.