Basketboll/Superliga përcakton dy finalistet

Superliga e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj ka përcaktuar tashmë edhe dy finalistet e këtij sezoni, teksa janë mbyllur duelet e gjysmëfinaleve të “play-off”-it. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt duelin më të spikatur, atë që u luajt në kryeqytet, midis Tiranës dhe Teutës “kampione” në fuqi. Gjithçka ka qenë në barazpeshë në 10-minutëshin e parë, teksa të dyja skuadrat kanë shënuar nga 18 pikë secila, ndërsa në atë të dytin, është skuadra mike që bën dallimin, duke e fituar atë me dy pikë epërsi, 23-21.
Dhe është Teuta që shkon në pushimin e madh midis dy gjysmave, duke kryesuar me rezultatin 41-39. 10-minutëshi i 3-të do të jetë vendimtar për fatin e këtij takimi, pasi Teuta e ka thelluar kryesimin në minutat e para, por skuadra kryeqytetase do të reagojë, duke përmbysur shifrat dhe duke e fituar atë me 4 pikë epërsi, 19-15, duke kryesuar kështu me një gjysmëore lojë me shifrat 58-46. 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka parë Tiranën të mbizotërojë, edhe falë ruajtjes së gjakftohtësisë, dhe të thellojë epërsinë.
Bardheblutë e fitojnë këtë fraksion loje me një epërsi të thellë, 20-7 dhe vulosin fitoren me 15 pikë epërsi, me shifrat 78-63. Tirana korr kështu fitoren e dytë në këtë duel gjysmëfinal, duke e mbyllur këtu gjithçka dhe duke shkurorëzuar kampionen në fuqi, Teutën, ashtu sikundër ka korrur fitore edhe Besëlidhja në ndeshjen e dytë të duelit tjetër gjysmëfinal, teksa ka mposhtur në fushën të huaj Kamza Basketin me shifrat 87-58.
Kësisoj, do të jetë një betejë në aksin kryeqytet-Lezhë çështja e titullit “kampion”, që nis javën e ardhshme, pasi Tirana do të përballet me Besëlidhjen në duelet për trofeun e vyer.