Korabi mund Erzenin, fitojnë dhe Besa e Butrinti

Kategoria e parë ka luajtur tre ndeshjet e mbetura të javës së 23-të. Bie në sy që në tre ndeshje kanë fituar skuadrat vendëse, madje me goleadë, ndërsa janë shënuar 11 gola në tri takime. Ndeshja më e rëndësishme është luajtur në Peshkopi, ndërsa Korabi vendës ka fituar ndaj kryesuese Erzeni. 2-1 fitorja e dibranëve të Artan Merxhushit, teksa kanë shënuar Duka në të 28’ dhe Taulant Marku në të 35’.
E goli i Ymerit ka vlejtur sa për statistikë për shijakasit. 44 pikë për Korabin dhe vendi i tretë i forcuar, ndonëse nga pas ndihen hapat e Apolonisë, Tomorit, Tërbunit, Besës, apo dhe Burrelit. Tanimë që do të luhet me skemën 3-6 dhe 4-5 për të përcaktuar skuadrën e tretë të Kategorisë së Parë, e cila do të duhet të luftojë me vendin e tetë të Superiores në një Play-out, atëherë gara është bërë më interesante.
Ndërkohë kavajasit kanë fituar pjesën e dytë me Shkumbinin duke realizuar një “poker” golash që mbajnë firmën e Kukajt, Hysenit, Hoxhës dhe Meçjes. Një fitore mbijetese, po 4-0, konsiderohet ajo e Butrintit ndaj Maliqit. Hyska, Onuh dhe Jaupaj japin qetësi për sarandiotët, ndërsa Maliqi vijon në fundin e renditjes.