KOLONA

1. NARRACIONI: Prologu fillon me veprime ‘blic’ të Ademit (Sunaj Raça) dhe Dritës (Arbëresha Grabovci) të motivuara nga frika nga persekutimi e vrasja prej forcave paramilitare serbe. Drita fut brenda në bukë gjëra të çmueshme për ditët më të rënda, duke marrë me vete e ruajtur me fanatizëm të pashpjeguar edhe lulen e cila ishte dhuratë për festë nga nxënësit shkollor. Në ndërtesë mbetet vetëm Hava, pensioniste e cila nuk ka dëshirë dhe forcë t’i bëj ballë barbarizmit dhe katastrofës në arritje. Ademi, shikon veten me keqardhje në pasqyrë me frikë dhe disi i pashpresë në ndryshime pozitive (ky është lajtmotiv i cili do të përsëritet në formë analoge në epilog, mirëpo në gjendje tjetër emotive dhe me kapërcime të mëdha në kohë). Nga viti 1998, me inversion, zhvendosemi në realitetin e sotëm dhe martesën e djalit të vëllait, elipsë e cila sugjerohet dhe përgatitet me ndihmën e Irena Cahanit. “Fleshbacku” inicial fillon me rrugën e katundit dhe informatën e Dritës se ka harruar gjërat me vlerë në banesë dhe duhet të kthehen. Për kthim tash është vonë se banesa veç ishte e rrethuar me forcat paramilitare serbe. Ademi rikthehet me shpejtësi në drejtim të shtëpisë ku jeton vëllai i tij, i cili përgatitet t’i bashkohet UÇK-së dhe ky do të duhej ta marrë Shpendin dhe Teutën sipas një premtimi familjar. Kolona ndalet në postbllokun e paramilitarëve serbë, të cilët kanë për detyrë plaçkitjen e parave nga civilët shqiptarë për të dhënë një dritë të gjelbër kalimi. Mirëpo, ky eksod kolektiv, i cili tash lëvizë rrugëve për Shqipëri, do të zhvillohet në ekstreme tragjike në mungesën e letërnjoftimeve, në radhë të parë të adoleshentit, i cili gjendet në traktor e i cili do të vritet në rrugë, në sy të babait e refugjatëve të tjerë vetëm për argëtim e qejfe dhe me instruksione shkollore nga oficeri kryesor se si duhet të vritet shqiptari.
Postblloku i dytë serb do të tregohet fatalist në lidhje me familjen e Ademit e me adoleshentët, të cilët nga frika prej sanksionit do hedhin CD-në e bendit ‘Nirvana’ përjashta automobilit e kjo do të lexohet si e dyshimtë nga forcat paramilitare serbe edhe pse veprimi ishte tërësisht i pastër dhe pa ndonjë ‘background’ të llogaritur e vetëm me një naivitet adoleshent, i cili me refrenin e bendit ‘Nirvana’ do të sugjeronte edhe fundin tragjik të ndonjërit nga ata dy në epilog. Ademi së bashku me dy djemtë do të dërgohet në stacion policor me një marrëveshje, e cila nuk do të jepte rezultate dhe se me të hollat e grumbulluara nga kryefamiljari mund të blihet shpirti i vetëm një djaloshi. Zgjidhja tragjike e cila njëkohësisht paraqet aksentin kryesor dramaturgjik, finalizohet me vendimin fatalist se duhet të kursehet djali i vëllait, sipas një fjale të dhënë, mirëpo djali i tij duhet të lihet në duar të kriminelëve. Dasma në epilog përshkruan Ademin me konflikte neurotike të brendshme e komunikimi me pasqyrë, ndoshta na flet për thyerje të identitetit individual e kolektiv me një zgjedhje tragjike antike, zgjedhje të cilën Ademi nuk do t’ia falë vetës deri në fund.
2. INTERPRETIMI: Sunaj Raça dhe Arbëresha Grabovci do të shndërrohen në një organizëm kinematografik dhe zhvillimi i tyre deri në kulminacion kishte nuanca të këtij dualiteti. Kjo lidhje, e cila ndërtohet në kontrapunkt ndoshta në sistemin ‘coincidentia oppositorum’, dëshmon se bota individuale shkrihet në botën morale. Interpretimi i Sunaj Raçës ishte i shkëlqyeshëm dhe dallonte shumë nga paraqitja e tij në ato ‘mutsihone’ të cilat prodhohen çdo javë nga RTK. Interpretimi i tij, prej fillimi deri në fund, ishte i kontrolluar, pa veprime të tepruara, pa grimasa të zmadhuara dhe ndoshta asgjë nuk i lihet rastit. Ndoshta secili veprim i tij ishte i strukturuar dhe i dozuar pa teprime dhe çdo gjë dukej e mahnitshme, reale dhe me vazhdimësi emotive edhe në skena të rënda ashtu sikur ishte zgjedhja tragjike në mes të dy adoleshentëve. Tek Arbëresha Grabovci-Nixha, paniku dhe vetëshkatërrimi mazohist ilustrohet në konsekuencë deri afër shthyrjes. Loja e saj ishte eruptive dhe pa distancë, mirëpo sensibile në pikturim psikologjik, i cili shikuesve u krijon pasiguri totale dhe dhembje kolektive. Identifikimi i aktorit me rol duket i plotë, mirëpo po ashtu është e qartë edhe diferenca e cila këto dy pozicione i dallon. Një interpretim shumë i rëndësishëm i Arbëresha Grabovci-Nixha. Aktori maqedonas Vlado Jovanovski, me një dialog natyralist dhe me sharje tipike serbe, krijon një fotografi të një personazhi të papërpunuar në rrafshin moral. Kjo gjuhë natyraliste i ndihmon Jovanovskit të futet nën lëkurën e oficerit serb dhe të artikulojë dëshirat e tij psikopatologjike. Jovanovski me ekspresion të fuqishëm dhe pa mizanskenë aktive krijon momente të cilat zbulojnë një nacioshovinist autentik. Jovanovski, kësaj radhe, thjeshtë nuk kishte shumë nevojë transformimi për shkak se persekutimi i gjithë të tjerëve joserbë ishte shndërruar në stereotip nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta. Edhe pse të vogla me volum skenik, rolet e Vedat Haxhislamit dhe Irena Cahanit, ishin kreative në dy ekstreme: Antipati & Simpati.
3. INTERPRETIMI VIZUEL: Samir Karahoda në këtë projekt dëshmon zhvillim të rëndësishëm nga fotografia statike në fotografi dinamike. Funksioni dominant i kamerës, i cili ndërlidhet me kamerën në dorë, e me ndihmën e të cilës krijohet një koekzistencë hapësinore jo vetëm në enterier, mirëpo edhe eksterier, duke krijuar mbresa kërcënimi (prologu) ose rreziku (postblloku) e duke lëvizë në vazhdimësi e me kuadro të shkurtë nga ato personazhe të cilat përshkruhen si të pafuqishme dhe të paarmatosura në drejtim të atyre me pozicion superior. Këtë lëvizje të cilën unë e kisha definuar si kamerë me funksion ritmik, e fut brenda një lloj dinamizmi në hapësirë, duke i shndërruar personazhet, pavarësisht nga rëndësia në shpirtra fluid! Shkëputjet nga ky përdorim i kamerës veçohen vetëm në tri sekuenca: Përdorimi objektiv i kamerës në kolonë ku në momente të caktuara dilet nga vetura, sekuenca në stacion policor ku kamera është statike mirëpo iluzioni i lëvizjes krijohet me depërtim në botën emotive të Sunaj Raqës dhe Vlado Jovanovskit. Sekuenca e dasmës ku Sunaj Raca shikon veten në pasqyre duke u ballafaquar me ndërgjegje sikur Hamleti i Shekspirit!
4. MONTAZHI DHE MUZIKA: Montazhi tek “Kolona” është njëkohësisht narrative dhe ekspresive. Tek montazhi narrativ normalisht përcjellët tregimi me ndihmën e kuadrove të ndryshëm të ndërtuar në korniza logjike, kronologjike, në mënyrë që secili prej tyre të sjell përmbajtje të re duke zhvilluar filmin në drejtimin dramaturgjik. Montazhi ekspresiv, i cili në këtë rast është psikologjik, krijon tension paralel, dinamizëm për shkak se në vazhdimësi kapërcehet prej një linje dramaturgjike në tjetrën, prej një kohe në kohën tjetër (kolona &martesa), duke krijuar dinamizëm vizual dhe tension psikologjik (Sunaj Raça & Vllado Jovanovski). Vija melodike e komponuar me origjinalitet nga Valton Beqiri, zhvillohet në formë krahasimi me botën emotive të protagonistëve. Në rastin e ‘Kolonës’ ndoshta mund të flitet shumë më shpesh për lidhje të muzikës dhe fotografisë se sa për ndonjë kontrapunkt. Për ndryshim nga montazhi, kjo linjë zhvillohet në tri kanale: A. Roli dramaturgjik (nxjerrja e dy adoleshentëve nga vetura dhe zgjedhja tragjike dhe vrasja e njërit prej adoleshentëve); B. Roli ritmik (krushqit dhe dasma); C. Roli lirik (reminishenca dhe flashback në momente). Përdorimi i muzikës ishte diskret në krijimin e një totaliteti dramatik e estetik, edhe pse kishte skena ku ajo ishte ekspresive sidomos në raport me protagonistin (Sunaj Raça). Edhe pse ky film është i metrazhit të shkurt dhe në të shkrepen vetëm tre plumba, ky është njëri ndër filmat më të realizuar me temë konfliktin e viteve të fundit në Kosovë! Përveç ministrit të kulturës, Memli Krasniqi, i cili me prezencën e tij të vazhdueshme në këto raste po tregon interes të shtuar për kinematografi, në premierë papritur u duk edhe ish bashkiaku i Tiranës dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili promovonte librin e tij “Kurban” në Prishtinë.
5. EPILOG: Rinjohja e Ujkan Hysajt tek ‘Kolona’ është një e vërtetë kolektive e cila përfundon me reminishencë dhe faj individual. E vërteta e Edi Ramës tek “Kurbani” është një e vërtetë individuale e cila përfundon me një rinjohje kolektive. Për të vërtetën e Edi Ramës është thënë diçka, mirëpo gjithmonë jo sa duhet. Unë dëshiroj këtu të potencoj se për të ‘shkruar’ d.m.th. dikujt ‘shkruar’. E vërteta nuk mund vetëm ‘hajt’ të shkruhet, ajo i shkruhet ‘dikujt’, i cili është në gjendje të bëj diçka me këtë të vërtetë! Rinjohja e të vërtetës është element i përbashkët i shkrimtarit dhe lexuesit! Për shkrimtarin është e rëndësishme ta godasë “bojën e së vërtetës”! Te Edi kjo ‘bojë’ i jep librit një dukshmëri të mrekullueshme dhe kontribuon të pranohet si ndërmarrje komplete botuese, të lexohet lehtë dhe të bëhet e arritshme tek secili lexues. Edi Rama vjen deri në Kosovë duke shkruar një të vërtetë në mënyrën më të lehtë, mirëpo jo të njëanshme – pa fraza pompoze, përfundime vendimtare, formulime historike.