KOMENT – Asgjë e re nga rezultatet e para zgjedhore në SHBA, Harris dhe Trump fitojnë shtetet tradicionale

UASHINGTON, 6 nëntor /ATSH-DPA/ – Nuk ka pasur surpriza deri më tani në shtetet që kanë mbyllur votimet, me zëvendëspresidenten Kamala Harris që ka fituar në shtetet tradicionalisht demokrate dhe Donald Trump që ka fituar në ato republikane.
Ndërsa qendrat e para të votimit u mbyllën në shtetet lindore dhe qendrore, rrjetet amerikane CNN, NBC dhe CBS parashikuan fitore për ish-presidentin Trump në Virxhinian Perëndimore, Indiana dhe Kentaki, ndërsa Harris shihej si fituese e Vermontit.
Në projeksione të mëtejshme, Florida, Oklahoma, Misuri, Tenesi, Karolina e Jugut, Arkansas dhe Alabama shkuan te Trump, ndërsa Harris fitoi Massachusetts, Maryland dhe Washington DC.
Transmetuesit kishin parashikuar që Trump të fitonte ndaj Harris me 105 vota elektorale kundër 27.
Votimi është ende duke u zhvilluar në pesë nga shtatë shtetet kryesore, por shtetet kryesore të Xhorxhias dhe Karolinës së Veriut janë duke numëruar votat dhe mund të japin indikacione se si do të zhvillohet ngjarja.
Në garën për të kontrolluar Senatin, një vend në Virxhinia Perëndimore – i mbajtur zyrtarisht nga Joe Manchin, i cili fitoi në 2018 si demokrat, u kthye nga republikani Jim Justice.
Pak para mbylljes së qendrave të para të votimit në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Trump mbolli dyshime për rezultatet në shtetin kyç të Pensilvanisë.
“Shumë flitet për mashtrimin masiv në Filadelfia. Zbatimi i ligjit po vjen!!!” shkroi ai në platformën e tij Truth.
Ishte e paqartë se cilit incident në qytetin më të madh të Pensilvanisë i referohej Trump dhe ai nuk dha asnjë provë për pretendimin.
Komisioneri i qytetit të Filadelfias, Seth Bluestein tha më vonë se nuk kishte “absolutisht asnjë të vërtetë në këtë pretendim”.
“Është një shembull tjetër i dezinformimit. Votimi në Filadelfia ka qenë i sigurt”, shkroi ai në X.
Pritej gjerësisht që Trump do të përpiqej të hidhte dyshime mbi drejtësinë e votimit në rast të një disfate si në vitin 2020.
Rezultati përfundimtar i Pensilvanisë ka të ngjarë të mos jetë i disponueshëm për ca kohë pasi sipas rregullave të shtetit, punonjësit zgjedhorë nuk mund të fillojnë të përpunojnë mijëra vota të parakohshme deri në fillim të ditës së zgjedhjeve./ a.jor.